Skandal botëror! Senatorja e ofendoi si “kamerunas të kolonizuar”, Mbappé e quajti “të neveritshme”, përplasja përfundon me padi

Përplasja mes kapitenit të Francës, Kylian Mbappé, dhe senatores paraguajane Celeste Amarilla është shndërruar në një çështje ndërkombëtare, ku nga fyerjet raciste konflikti ka kaluar në kërcënime për padi dhe procedura ligjore.
Gjithçka nisi pas fitores 1-0 të Francës ndaj Paraguait në Botërorin 2026, ndeshje e vendosur nga goli i Mbappé me penallti.
Menjëherë pas takimit, Amarilla publikoi një seri komentesh raciste në rrjetet sociale, duke e quajtur futbollistin, mes të tjerash, “kamerunas i kolonizuar që përpiqet të hiqet si francez”, “brut” dhe duke shkruar se lojtarët e Paraguait “duhej ta kishin goditur me shuplakë”.
Mbappé iu përgjigj publikisht me një deklaratë të fortë:
“Zonja Celeste Amarilla, ju jeni një grua e neveritshme dhe e padenjë për postin që mbani. Ju nuk përfaqësoni Paraguain, një vend që tregoi pasion dhe nder gjatë këtij Botërori.
Për shkak të papërgjegjshmërisë dhe racizmit tuaj të hapur, bota harroi rrugëtimin historik të kombëtares paraguajane dhe pa vetëm një politikane që i dha vendit të saj imazhin më të keq të mundshëm.
Nuk do të lejoj kurrë që njerëz si ju të përhapin urrejtje dhe racizëm në botë.”
Pas reagimit të Mbappé, Amarilla fshiu postimin fillestar dhe publikoi një letër të hapur, ku kërkoi falje për fyerjet raciste, por njëkohësisht akuzoi futbollistin për “dhunë me bazë gjinore” për mënyrën si iu drejtua asaj.
Ajo deklaroi:
“Kush je ti të më quash të pavlerë apo të neveritshme, kur as nuk më njeh? Kjo është, thjesht dhe qartë, dhunë me bazë gjinore.
Tërhiq deklaratën tënde, respekto shtetësinë tënde franceze dhe më kërko falje. Përndryshe, do të nis veprime ligjore kundër teje për dhunë me bazë gjinore.”
Në një konferencë për shtyp, Amarilla bëri edhe një deklaratë që u bë virale:
“Thuaji të ketë kujdes me paraguajanët. Ne e futëm Ronaldinhon në burg për korrupsion. Mos më nënvlerëso, mund të të çoj në gjykatë.”
Deklarata i referohet rastit të vitit 2020, kur ish-ylli brazilian Ronaldinho u arrestua dhe kaloi disa muaj në paraburgim në Paraguai për hyrje në vend me pasaportë të falsifikuar.
Ndërkohë, Federata Franceze e Futbollit (FFF) ka depozituar kallëzim penal ndaj senatores për komentet raciste, ndërsa prokuroria franceze ka hapur hetim për fyerje publike me motive racore dhe nxitje të urrejtjes. Edhe qeveria e Paraguait është distancuar nga deklaratat e Amarillës, duke theksuar se ato nuk përfaqësojnë qëndrimin e vendit.