Skip to content
Kryesore

“Si kalon me agjentët serbë në dhomat e Rogner?”/ Gazetarët dënojnë sulmin e Vlora Hysenit ndaj Klodiana Lalës: Shantazh, të japë llogari para drejtësisë

· 2 min lexim

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar ashpër pas deklaratës së ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj gazetares Klodiana Lala, duke e cilësuar atë si shantazh dhe duke kërkuar që episodi të trajtohet me seriozitet nga SPAK.

Përplasja ndodhi teksa Hyseni ndodhej në GJKKO dhe Lala e pyeti lidhur me komunikimet e saj me Ergys Agasin dhe shpërndarjen e materialeve ndaj tij.

“Si i shpërndan materialet Ergys Agasit?”, ishte pyetja e gazetares.

Hyseni nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes, por iu drejtua Lalës me pretendimin:

“Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”

Pas deklaratës, Lala reagoi duke e konsideruar atë një akuzë të rëndë dhe shantazh.

“Se cilave takime i referohet do duhet t’i sqarojë kur të dalë, se ishte një akuzë shumë e fortë dhe një shantazh.”

Ngjarja ka sjellë edhe reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, i cili dënon me tone të forta deklaratat e Hysenit dhe kërkon që ish-drejtuesja e SHISH t’i tërheqë ato.

REAGIMI I PLOTË I AGSH

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me termat më të ashpër shantazhin dhe sulmet e të dyshuarës së SPAK, ish-shefes së SHISH Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala.

Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të japë llogari vetëm përpara drejtësisë ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen.

AGSH i bën thirrje Zonjës Hyseni që të tërheqë menjëherë deklaratat e saj ndërsa e nxisim Strukturën e Posaçme që të shikojë me seriozitet këtë episod shantazhi nga ana e saj ndaj një gazetareje.”