Operatorët celularë në Shqipëri, ONE Albania dhe Vodafone Albania, po rrisin sërish çmimet për abonentët, duke ushtruar klauzolën e indeksimit me inflacionin që kanë vendosur që prej vitit 2024. Rritja e fundit hyn në fuqi nga 1 maji 2026 dhe arrin deri në 2.2%, sipas inflacionit mesatar vjetor të publikuar nga INSTAT.
Kjo praktikë po kthehet në një mekanizëm të përvitshëm shtrenjtimi, duke rritur shqetësimet për koston e komunikimit për qytetarët, sidomos në një treg ku konkurrenca është e kufizuar dhe dominohet nga vetëm dy operatorë.
Fillimisht, indeksimi u aplikua nga ONE Albania në vitin 2024 vetëm për bizneset, por tashmë po shtrihet më gjerë tek përdoruesit. Sipas kontratave, tarifat mund të rriten çdo vit në bazë të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.
Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës ka konfirmuar se kjo praktikë është pjesë e hetimit të thelluar ndaj dy operatorëve, të hapur në nëntor të vitit të kaluar. Institucioni po verifikon nëse rritjet e çmimeve dhe sjellja e tyre e ngjashme në treg përbëjnë shkelje të konkurrencës.
Sipas të dhënave të hetimit paraprak, ONE dhe Vodafone kanë ndjekur rritje të sinkronizuara të çmimeve dhe kanë ofruar paketa pothuajse identike, duke kufizuar zgjedhjen për konsumatorët. Autoriteti thekson se mungon një metodologji e qartë që justifikon këto rritje mbi bazën e kostove reale.
Në nivel europian, Trupa e Rregullatorëve të Komunikimeve Elektronike (BEREC) i konsideron këto klauzola si zhvillim shqetësues për konsumatorët, pasi mund të çojnë në rritje të vazhdueshme të tarifave dhe kufizim të të drejtave për të ndryshuar operatorin.
Megjithatë, në Shqipëri, AKEP nuk ka ndërhyrë për të kufizuar këtë praktikë, duke lënë hapësirë që operatorët ta zbatojnë atë.
Të dhënat tregojnë se shpenzimet për celular janë në rritje prej katër vitesh. Në vitin 2024, shqiptarët shpenzuan mesatarisht 9200 lekë në vit për shërbime celulare, 16% më shumë se një vit më parë, ndërsa të ardhurat e operatorëve arritën në 27.9 miliardë lekë.
Në një treg që funksionon si duopol, ku dy kompanitë kontrollojnë 100% të shërbimeve, çdo rritje e re çmimesh përkthehet drejtpërdrejt në barrë shtesë për qytetarët, pa alternativa reale zgjedhjeje.







