Skip to content
Kryesore

Shqipëria po zbrazet/ BIRN: 51 nga 61 bashki humbasin banorë, periferitë po plaken

· 3 min lexim

Shqipëria po përballet me një krizë demografike që po ndryshon hartën e vendit. Të dhënat e Censusit 2023 tregojnë se 51 nga 61 bashkitë po përjetojnë shpopullim dhe plakje, ndërsa popullsia po përqendrohet gjithnjë e më shumë në disa qendra të mëdha, veçanërisht në boshtin Tiranë-Durrës.

Të dhënat dalin nga Indeksi Urban, një prej dokumenteve analitike të hartuara nga ekspertët e Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale. Mbi këto analiza është mbështetur edhe propozimi i PS-së për shkrirjen e 15 bashkive të vogla dhe uljen e numrit të njësive të vetëqeverisjes vendore nga 61 në 46.

Sipas raportit, në 30 bashki me indeks të ulët urban jeton vetëm 14.2% e popullsisë së vendit, ndërsa 15 prej tyre kanë më pak se 10 mijë banorë. Shqipëria ka humbur rreth një të katërtën e popullsisë që nga viti 1989, ndërsa mosha mesatare është rritur nga 35.3 në 42.5 vjeç.

”Të dhënat janë kambanë alarmi për ne si shtet”- thotë për BIRN, Doriana Musai, arkitekte dhe planifikuese urbane.

“Pra, nuk kemi vetëm më pak banorë. Kemi më pak të rinj, më pak familje të reja dhe një bazë gjithnjë e më të dobët për riprodhimin demografik dhe zhvillimin ekonomik të territoreve”- argumenton Musai.

Largimi prek veçanërisht të rinjtë, profesionistët dhe njerëzit në moshë pune, duke lënë pas komunitete më të plakura, më pak nxënës në shkolla, më pak fuqi punëtore dhe ekonomi lokale gjithnjë e më të dobëta.

“Një komunitet fillon të varfërohet shumë përpara se të boshatiset fizikisht”, thotë për BIRN sociologu Shkëlzen Hasanaj.

Sipas tij, fenomeni po merr formën e një “shpopullimi selektiv”, pasi territoret humbasin pikërisht njerëzit që duhet të garantonin vazhdimësinë e tyre ekonomike dhe demografike.

“Një qytet nuk humbet vetëm një numër banorësh; humbet njerëzit që nesër do të krijonin familje, do të hapnin një aktivitet, do të punonin si mjekë, mësues, inxhinierë apo sipërmarrës dhe do të merrnin pjesë në jetën e komunitetit”- thotë Hasanaj.

Edhe ekonomisti Klodian Muço paralajmëron se pasojat e këtij procesi shkojnë përtej zonave që boshatisen.

“Territoret periferike humbasin fuqi punëtore dhe aktivitet ekonomik, ndërsa qytetet pritëse përballen me kosto gjithnjë e më të larta për banim, transport dhe shërbime”- shton ai.

Përqendrimi i popullsisë në Tiranë dhe Durrës rrit presionin mbi strehimin, transportin, infrastrukturën dhe koston e jetesës, ndërsa periferitë humbasin shërbimet dhe aktivitetin ekonomik.

Dorina Pojani, pedagoge e planifikimit urban në Universitetin e Queensland, Australi, paralajmëron për një paradoks që mund të thellohet nëse mungojnë politikat për zhvillimin e qyteteve më të vogla.

“Një rrjet funksional rrugësh dhe hekurudhash do t’u mundësonte banorëve të jetonin në qytete më të vogla dhe të kishin akses në punë e shërbime në qendrat më të mëdha”- sugjeron ajo, ose në të kundërt, “vendi rrezikon një paradoks të dyfishtë: periferitë boshatisen, ndërsa qendrat mbingarkohen”.

Hasanaj paralajmëron se vazhdimi i kësaj tendence mund të krijojë “një gjeografi të pabarazisë”, ku mundësitë e një të riu do të varen gjithnjë e më shumë nga vendi ku lind dhe rritet.

Ekspertët vlerësojnë se vetëm shkrirja e bashkive nuk e zgjidh problemin. Sipas tyre, reforma duhet të shoqërohet me politika për punësimin, arsimin, shërbimet, infrastrukturën dhe ekonominë lokale, në të kundërt Shqipëria mund të përballet pas 10 apo 20 vitesh me të njëjtën pyetje: “sa njerëz kanë mbetur për t’i dhënë jetë territorit që ato qeverisin”.