Skip to content
Të Gjitha

Shqipëria merr zyrtarisht kryesimin e OSBE. Cakaj: “Suksesi më i madh në historinë e diplomacisë”

· 2 min lexim

Sllovakia i ka dorëzuar ditën e sotme kryesinë e OSBE-së Shqipërisë.

Lajmin e bëri të ditur Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, ai shprehet se ky moment shënon suksesin më të madh në historinë e diplomacisë shumëpalëshe të Shqipërisë, pas anëtarësimit në NATO.

Më tëj, ministri shtoi se Shqipëria ka kapacitetet e plota për të adresuar prioritetet e Kryesisë së saj në mënyrë efektive dhe për të kryer detyrimet ndaj vendeve pjesëmarrëse në mënyrë të përgjegjshme.

Postimi i plotë

“Sot në Këshillin e Përhershëm, pas një pune të pakursyer përgatitore dhe një bashkëpunimi të shkëlqyer në kuadër të Trojkës, Slovakia i dorëzoi zyrtarisht Kryesinë e OSBE-së Shqipërisë .

Ky moment shënon suksesin më të madh në historinë e diplomacisë shumëpalëshe të Shqipërisë pas anëtarësimit në NATO!

Për një vit me rradhë, Shqipëria do të jetë kryesuese e organizatës më të madhe të sigurisë në botë, duke mbuluar gjithë hapësirën nga Vankuveri në Vladivostok!

Shqipëria gëzon kapacitetet e plota për të adresuar prioritetet e Kryesisë së saj në mënyrë efektive dhe për të kryer detyrimet ndaj vendeve pjesëmarrëse në mënyrë të përgjegjshme !”

Cakaj ishte i pranishëm në takimin me Këshillin e Përhershëm, të OSBE, së bashku me kryeministrin Rama.