Shqipëria digjet… Begaj hesht për protestat, por dekreton amnistinë penale: Përfitojnë 1335 të dënuar

Ndërsa vendi po kalon një nga periudhat më të tensionuara politike të muajve të fundit, me protesta qytetare që vijojnë prej më shumë se një muaji dhe me thirrje të vazhdueshme që edhe Presidenti Bajram Begaj të reagojë ndaj krizës politike, kreu i shtetit ka zgjedhur të mos mbajë asnjë qëndrim publik për zhvillimet.
Në vend të një mesazhi për qytetarët apo një përpjekjeje për të ushtruar rolin e tij si garant i unitetit të popullit, Begaj ka vijuar normalisht axhendën institucionale. Së fundmi, ai ka dekretuar ligjin për amnistinë penale, një ligj që pritet të sjellë përfitime për 1335 të dënuar.
Sipas njoftimit të Presidencës, “Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj, me Dekret nr. 375, datë 30.6.2026, dekretoi sot shpalljen e ligjit nr. 57/2026, “Për dhënie amnistie””.
Amnistia penale u miratua në Parlament më 18 qershor, me 84 vota pro. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë e zgjeroi amnistinë penale duke shtyrë afatin e përfituesve nga 31 dhjetor 2025 në 31 maj 2027.
Me këtë shtyrje afati, lista e përfituesve nga amnistia zgjerohet në 1335 të dënuar.
Por dekreti i Begajt vjen në një moment kur vëmendja publike është e përqendruar te protestat qytetare dhe te kërkesa e protestuesve për rrëzimin e qeverisë. Për protestuesit, heshtja e kreut të shtetit në një moment kaq të trazuar shihet si mungesë e rolit që Kushtetuta i ngarkon Presidentit si garant i unitetit të popullit.
Teksa revolta qytetare vazhdon dhe kërkesat për një reagim institucional shtohen çdo ditë, Presidenca mbetet e fokusuar te procedurat e zakonshme. Ndërsa vendi përjeton një krizë të thellë politike dhe shoqërore, institucioni më i lartë i shtetit po sillet sikur asgjë e jashtëzakonshme nuk po ndodh.
Siç thotë shprehja popullore: fshati digjet, ndërsa institucionet vijojnë rutinën.