Skip to content
Kryesore

Serbia përcjell me nderime ushtarake kriminelin e luftës Ratko Mlladiç/ BE: Glorifikim shokues, rrezikohet rruga europiane

· 3 min lexim

Nderimet ushtarake dhe shtetërore për Ratko Mlladiçin kanë shkaktuar reagimin e fortë të drejtuesve më të lartë të Bashkimit Europian. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Europian, António Costa, i kanë cilësuar “tronditëse” pamjet nga funerali në Beograd i ish-komandantit serb të Bosnjës, i dënuar për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Von der Leyen dhe Costa dënuan gjithashtu praninë e zyrtarëve të lartë serbë në ceremoninë mortore, ndërsa reagimi i tyre ngre pikëpyetje serioze mbi perspektivën europiane të Serbisë.

“Pamjet nga funerali i Ratko Mlladiçit dje në Beograd ishin tronditëse. Mlladiç ishte një kriminel lufte i dënuar. Ai ishte përgjegjës për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, shkruan Von der Leyen dhe Costa në deklaratën e tyre të publikuar në platformën X.

Mlladiç, i njohur edhe si “Kasapi i Ballkanit”, vdiq në moshën 84-vjeçare në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Trupi i tij u transportua drejt Beogradit me një avion shtetëror, ndërsa arkivoli, i mbështjellë me flamurin serb, u prit me gardë nderi nga ushtria serbe dhe forca të ndryshme të sigurisë. Në ceremoni u përfshinë gjithashtu televizioni shtetëror dhe Kisha Ortodokse Serbe.

Funerali shkaktoi debat edhe brenda vetë institucioneve europiane. Një ditë më parë, zëdhënësja kryesore e Komisionit Europian, Paula Pinho, deklaroi gjatë konferencës së përditshme për shtyp se “kishim dëgjuar se ishte parashikuar një funeral me nderime shtetërore dhe kjo nuk ka ndodhur”.

Deklarata solli reagimin e menjëhershëm të Ministrisë së Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, e cila e cilësoi atë një turp për të gjithë BE-në, duke theksuar se “pesë ministra të qeverisë serbe ishin ulur në rreshtin e parë në funeral, një krimineli lufte të dënuar iu bënë nderime ushtarake dhe trupi i tij u transportua me një avion të qeverisë serbe”.

Deklarata e përbashkët e Von der Leyen dhe Costës konsolidon tashmë dënimin në nivelin më të lartë institucional të BE-së ndaj glorifikimit të Mlladiçit. Mesazhi drejtuar Beogradit lidhet drejtpërdrejt edhe me aspiratat europiane të Serbisë: mënyra se si vendi përballet me krimet e së kaluarës dhe me figurat e dënuara për to konsiderohet e papajtueshme me vlerat mbi të cilat mbështetet anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Tensionet me Brukselin vijnë në një moment delikat politik për Serbinë. Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar në vend, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiç ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare në fund të tetorit.

Qeveria serbe i ka propozuar Vuçiçit shpërndarjen e Parlamentit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Nëse propozimi miratohet, zgjedhjet duhet të shpallen brenda 72 orëve. Ndërkohë, mediat e huaja raportojnë se Vuçiç po përgatit një rokadë politike që mund ta kalojë nga posti i presidentit në atë të kryeministrit.