Skip to content
Kryesore

Rritet numri i rasteve me grip në Vlorë

· 2 min lexim

Numri i vizitave në qendrat shëndetësore dhe në spitalin e Vlorës ka pësuar një rritje të dukshme. Shefi i epidemiologjisë, Agron Bashllari, ka konfirmuar se çdo javë janë mbi 500 individë që paraqesin simptoma të gripit stinor.

Sipas tij, ky trend vazhdon të rritet dhe pritet që numri i vizitave të arrijë deri në 700 çdo javë.

“Ka një rritje të infeksioneve respiratore, që do të thotë numër disi më i lartë i vizitave për infeksione respiratore të sipërme pranë qendrave shëndetësore dhe spitalit të rrethit; rrjedhimisht, jemi duke hyrë në sezonin më intensiv të qarkullimit të virozave, ku dominanti është gjithmonë gripi. Mesatarisht jemi në 500 vizita në javë; në pikun e sezonit mund të arrijmë deri në 700 vizita në javë, 700-750 vizita në javë; kuptohet, ka të bëjë me numrin e popullatës; dihet që trendi sezonal kulmin e arrin në janar dhe në shkurt, pra të qarkullimit të virozave respiratore dhe kryesisht të gripit dhe COVID, por gripi është ai më i rëndësishmi”, thotë Agron Bashllari, shefi i Epidemiologjisë.

Për të minimizuar efektin e virozave stinore, Bashllari thotë se në Vlorë ka nisur procesi i vaksinimit me vaksinën antigrip.

“Kështu që popullata është ende në kohë të përfitojë nga vaksinat që shteti ka ofruar në qendrat shëndetësore, pasi dihet që me bërjen e vaksinës, trupi merr dy javë që të krijojë atë nivel të mbrojtjes për të luftuar viruset; kështu, sa më herët të bëhet vaksina, aq më të mbrojtur do të jemi për sezonin e dimrit”, shprehet ai.

Sipas të dhënave, në qytetin e Vlorës, gripi stinor ka prekur të gjitha grupmoshat, duke përfshirë edhe fëmijët dhe të moshuarit. Ndërkohë, shumica e rasteve kanë kaluar në formë të lehtë, megjithatë nuk kanë munguar as individët që kanë kërkuar trajtim në gjendje të rënduar shëndetësore.