Skip to content
Kryesore

Rreth 100 policë zbarkojnë para Kryeministrisë, largojnë protestuesit dhe heqin këpucët simbol të emigracionit

· 2 min lexim

Rreth 100 efektivë policie kanë zbarkuar këtë të diel para Kryeministrisë, ku kanë larguar qytetarët që kishin kaluar natën pranë godinës qeveritare. Pas largimit të tyre, policia ka hequr edhe këpucët e vendosura në shkallët e Kryeministrisë, të cilat simbolizonin largimin e të rinjve nga vendi për shkak të emigracionit.

Ndërhyrja është shoqëruar me tensione dhe reagime të forta nga protestuesit, të cilët kanë kundërshtuar heqjen e këpucëve dhe largimin e qytetarëve nga hapësira publike. Këpucët ishin vendosur si një simbol i vullnetit qytetar dhe si një formë proteste ndaj largimit masiv të shqiptarëve nga vendi.

“Mos i prekni këpucët, kjo është vjedhje e vullnetit popullor. Mos i ngacmoni veprat artistike të vendosura nga popull. Ky është territor publik”, dëgjohet të thotë një protestues me megafon.

Pas heqjes së këpucëve, efektivët kanë sekuestruar edhe stolat metalikë, të cilët përdoreshin nga qytetarët si barrierë sigurie në zonën e podiumit të improvizuar. Në këtë hapësirë protestuesit kanë mbajtur fjalimet gjatë ditëve të fundit të protestës.

Situata është përshkallëzuar edhe më tej kur qytetarët kanë kundërshtuar ndërhyrjen e policisë dhe kanë kërkuar shpjegime për veprimet e saj.

“Mos e prek vajzën, ku i keni policët femra? Mos e prekni. Ku është procesverbali i këpucëve? Mos e prek gocën, është në ambient publik. Është territor publik, mos e prek. Bashkia Tiranë që na lë pa drita po heq veprat e lëna nga qytetarët. S’po na lënë në territor publik. Hajdutëri. Kjo është dhunë policore, ky është provokim. Mos e prek gocën”, thotë një qytetar, i cili po tentonte të filmonte situatën.

Ndërhyrja e policisë vjen në ditën e 29 të protestës qytetare, ku qindra mijëra qytetarë pritet të mblidhen sërish në Tiranë.