Rikthehet skema e vjetër me emra zyrtarësh/ Florian Gjergji u hoq kësaj here si Taulant Balla për t’i zhvatur 100 mijë euro Armand Dukës

Një tjetër tentativë mashtrimi me emrin e një figure publike, një tjetër shumë e madhe parash dhe sërish i njëjti emër në prapaskenë. Florian Gjergji, personazh i njohur prej vitesh për skema mashtrimi të këtij lloji, dyshohet se qëndron edhe pas tentativës për t’i marrë 100 mijë euro presidentit të FSHF-së, Armand Duka.
Edison Korra, 24 vjeç, dhe Orest Balla, 23 vjeç, nga Elbasani, dyshohet se vepronin me porosi të Gjergjit kur kontaktuan Dukën përmes aplikacionit Signal. Ata u prezantuan si Taulant Balla dhe i kërkuan kreut të FSHF-së 100 mijë euro në kriptovalutë.
Duka dyshoi për komunikimin dhe njoftoi policinë. Gjatë bisedës ai u tha personave që e kontaktonin se për shumën duhet të flisnin me djalin e tij. Në këtë moment në komunikim hyri një agjent i infiltruar, i cili u prezantua si djali i Armand Dukës dhe caktoi takimin për dorëzimin e parave.
Takimi u zhvillua në Elbasan, ku dy të rinjtë u kapën në flagrancë teksa prisnin të merrnin shumën prej 100 mijë eurosh.
Por ajo që e bën këtë rast edhe më domethënës është fakti se skema nuk është aspak e re. Emri i Florian Gjergjit është lidhur prej vitesh me të njëjtin mekanizëm mashtrimi: përdorimin e identitetit të figurave publike, kërkesa urgjente për para dhe më pas dërgimin e personave të tjerë për të marrë fizikisht shumën.
Vetëm në janar të këtij viti, raportuam një tjetër rast pothuajse identik, kur biznesmeni shkodran Ilir Rexhvela humbi 40 mijë euro pasi mashtruesit u paraqitën në Viber si kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj. Edhe në atë rast, dyshimet çuan sërish te Florian Gjergji.
Skema ishte e njëjtë: një profil me emrin e një figure publike, një kërkesë urgjente për borxh, një premtim për kthimin e shpejtë të parave dhe një person i dërguar për t’i marrë ato cash. Rexhvela i dorëzoi 40 mijë euro pranë aeroportit të Rinasit dhe vetëm më pas, pasi kontaktoi drejtpërdrejt Tonin Marinajn, kuptoi se ishte mashtruar.
Por lista e rasteve është shumë më e gjatë.
Në emër të Erion Veliajt është tentuar marrja e 50 mijë eurove nga një biznesmen në Tiranë, ndërsa në emër të Taulant Ballës grupi ka arritur më herët t’i marrë 100 mijë euro një tjetër biznesmeni.
Po ashtu, duke u shtirur si Pjerin Ndreu, janë zhvatur 15 mijë euro, ndërsa në një tjetër rast është përdorur emri i Vilma Nushit dhe një drejtoreshë e biznesit të saj ka dorëzuar 50 mijë euro. Në raste të tjera janë përdorur edhe emrat e Artan Lames dhe figurave të tjera publike.
Në të gjitha rastet, modeli mbetet pothuajse identik. Komunikimi kryhet përmes Signal, Telegram apo Viber, përdoren emra dhe profile të rreme, ndërsa paratë kërkohen të dorëzohen fizikisht te persona të tretë.
Këta të fundit janë zakonisht hallka që kapen nga policia, ndërsa Florian Gjergji dyshohet se vazhdon të drejtojë skemën nga jashtë Shqipërisë. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe prej kohësh dyshohet se vepron nga Gjermania.
Rasti i Armand Dukës bëhet edhe më flagrant për faktin se këtë herë është përdorur sërish emri i Taulant Ballës, pikërisht një nga identitetet që është përdorur më parë me sukses për të zhvatur 100 mijë euro.
Për ngjarjen reagoi edhe Balla.
“E përgëzoj Policinë e Shtetit Tiranë, të cilët me shumë efikasitet kanë goditur një rast tjetër kriminal mashtrimi në rrjetet e komunikimit on-line. Qytetarët duhet të bëjnë shumë kujdes dhe duhet ta denoncojnë menjëherë çdo rast! Ndërsa rrjetet sociale duhet të forcojnë kontrollin ndaj llogarive fallco”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Policia bëri të ditur se operacioni i koduar “Seen” nisi pas kallëzimit të 64-vjeçarit dhe se hetimet u zhvilluan me metoda speciale. Sipas njoftimit zyrtar, profili i përdorur ishte aktivizuar me të dhënat e një personi të njohur të kallëzuesit, me qëllim mashtrimin e tij.
Hetimet vijojnë për të zbuluar të gjithë personat e përfshirë në skemë.
Por modeli tashmë është i njohur: autori i dyshuar është i njëjti, metoda është e njëjta, figurat publike ndërrohen dhe ndryshon vetëm viktima e radhës. Dhe ndërsa personat që shkojnë të marrin paratë përfundojnë në pranga, skema vazhdon të rikthehet sërish.