Skip to content
Kryesore

Rëndohet tragjedia në Roskovec, ndërron jetë edhe nëna e ish-të fejuarës, shkon në tre numri i viktimave

· 2 min lexim

Është rënduar bilanci i viktimave nga krimi i rëndë që tronditi mëngjesin e së premtes fshatin Vidhishtë të Roskovecit. Ka ndërruar jetë në spital edhe Bejlere Plaku, e cila ishte plagosur rëndë me armë gjahu nga ish-dhëndri i saj, Refit Buzi.

Ngjarja nisi në orët e para të mëngjesit, kur 35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe me emrin Nertil Buzi, shkoi në banesën e ish-të fejuarës së tij, Rozalina Plaku, dhe hapi zjarr ndaj familjarëve të saj. Si pasojë e sulmit humbi jetën në vend Kosta Plaku, ndërsa bashkëshortja e tij, Bejlere Plaku, u transportua në spital në gjendje kritike, ku nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Pas krimit, Buzi mori me forcë peng ish-të fejuarën 24-vjeçare dhe u largua me automjet. Pas negociatave të para me Policinë dhe forcat RENEA, ai e liroi të renë, ndërsa u izolua në fshatin Cerven.

Për më shumë se shtatë orë, efektivët e RENEA-s negociuan me 35-vjeçarin, duke rrethuar zonën me forca të shumta dhe snajperë. Megjithatë, negociatat përfunduan tragjikisht, pasi Buzi qëlloi veten me armë zjarri brenda automjetit të tij, duke i dhënë fund jetës.

Me vdekjen e Bejlere Plakut, numri i viktimave nga kjo ngjarje ka shkuar në tre: Kosta Plaku, bashkëshortja e tij Bejlere Plaku dhe vetë autori, Refit Buzi.

Sipas dëshmive të para, pas krimit autori kishte deklaruar se kishte vepruar pasi pretendonte se i kishte dhënë ish-të fejuarës së tij mijëra paund, të cilat nuk i ishin kthyer. Të njëjtin pretendim kanë bërë edhe prindërit e tij.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se 35-vjeçari kishte kohë që kërcënonte ish-të fejuarën, studente në Fakultetin e Mjekësisë. Ai dyshohet se ishte përfshirë në aktivitete të paligjshme jashtë Shqipërisë. Në vitin 2022, emri i tij u përmend pasi ishte mes shtatë shqiptarëve që u morën peng në Londër pas prishjes së pazareve të drogës. Në atë kohë, rrëmbyesit kishin kërkuar 400 mijë paund për lirimin e tij.

Nuk dihet ende nëse ajo ngjarje lidhet me ndarjen nga Rozalina Plaku, ndërsa autori rezulton se ishte shoqëruar dhe arrestuar më parë nga policia. Hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj tragjedie vijojnë.