Reagimi i parë i Braçes pas votës pro shkrirjes së 15 bashkive: U dorëzua para presionit të Ramës, tani justifikohet se votoi për të mos ikur

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për herë të parë pas votës së tij pro reformës territoriale, duke u përpjekur të justifikojë një kthesë politike që bie ndesh me gjithçka kishte mbrojtur publikisht deri pak orë përpara votimit. Pas kundërshtimeve të forta, paralajmërimeve për pasojat e shkrirjes së 15 bashkive dhe përplasjes me Edi Ramën, Braçe iu bind ultimatumit të kryeministrit, votoi pro dhe tani pretendon se nuk ka tradhtuar askënd.
Në një reagim të gjatë, deputeti sulmon Ramën, denoncon presionin brenda Partisë Socialiste dhe këmbëngul se nuk ka votuar për kryeministrin. Por mes gjithë shpjegimeve, pranon arsyen që e bën edhe më të rëndë vendimin e tij: votoi për të mos u larguar nga grupi parlamentar socialist.
Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj ishin dy deputetët e vetëm të PS-së që kundërshtuan reformën territoriale. Sinaj u tërhoq i pari, duke braktisur kundërshtimin për shkrirjen e Bashkisë së Selenicës. Braçe rezistoi pothuajse deri në fund, duke këmbëngulur se projekti nuk ishte reformë e mirëfilltë, por një ndryshim kufijsh që rrezikonte të përkeqësonte jetën e qytetarëve.
Madje, pak përpara votimit, ai e përshkroi momentin si ditën më të vështirë të 30 viteve të tij në politikë, duke deklaruar se duhej të zgjidhte mes vazhdimit të luftës dhe largimit.
Por zgjedhja përfundimtare nuk ishte ajo që paralajmëronin qëndrimet e tij.
Edi Rama kishte kërcënuar më herët se kush votonte kundër reformës do të përjashtohej nga grupi parlamentar socialist. Pas një bisede të gjatë me kryeministrin, Braçe ndryshoi qëndrim dhe u bë deputeti i 85-të që votoi pro shkrirjes së 15 bashkive, ndërkohë që qytetarët protestonin jashtë Kuvendit kundër pikërisht këtij vendimi.
Çfarë ndodhi gjatë asaj bisede? Cili kërcënim, premtim apo marrëveshje e mundshme e bëri Braçen të braktiste papritur bindjet që kishte mbrojtur për ditë me radhë? A iu ofrua ndonjë përfitim politik apo tjetër në këmbim të votës? Për një marrëveshje të fshehtë apo ryshfet nuk ka prova publike, por deputeti ka detyrimin politik të shpjegojë çfarë ndryshoi realisht.
Në reagimin e sotëm, Braçe shkruan:
“E para, nuk ia lejoj Edi Ramës të flasë për votën time e me të të lëshojë flakërima ajri në mjedis kundër kujtdo që ka në mendje; nuk mund ta bëjë në emrin tim e duke përmendur votën time; unë, siç ai e pohoi në mbledhje nuk kam votuar pro tij dhe e kishte numëruar “shumë herë” këtë, ndaj ta lërë këtu, me kaq.”
Më tej, ai mohon se ka tradhtuar zgjedhësit dhe pranon se vazhdon ta konsiderojë të gabuar ligjin që miratoi:
“Unë nuk kam gënjyer kënd që të jem gënjeshtar, nuk i kam dhënë besë kujt që të jem i pabesë; nuk kam tradhtuar kënd nga ata 25 mijë njerëz që më kanë votuar një vit më parë e plot të tjerë që më kanë kanë votuar në 30 vite. Të isha kundër projektligjit për ndarjen administrative e territoriale ishte zgjedhja ime, ardhur nga bindja e krijuar pa asnjë kërkesë e imponim, se ai ligj nuk ishte e nuk është reformë, por një vizatim i ri i territorit administrativ, i përkohshëm, i paqëndrueshëm dhe i pamjaftueshëm si reformë, mu siç Edi Rama e pranoi vetë në mbledhjen e grupit të deputetëve socialistë.”
Kjo është edhe prova më e qartë e kontradiktës së tij politike. Braçe nuk pretendon se ndryshoi bindje për përmbajtjen e projektligjit. Përkundrazi, vazhdon ta quajë të gabuar edhe pasi e votoi. Pra, problemi që ai vetë identifikoi nuk u zgjidh, por kundërshtimi i tij u zhduk sapo u vu në diskutim e ardhmja e tij brenda grupit parlamentar.
Në përpjekje për të mbrojtur vendimin, deputeti denoncon modelin antidemokratik të disiplinës partiake, duke cituar ultimatumin “ose voto, ose je jashtë këtij grupi”, ndërsa deklaron:
“Unë votova që të mos iki, por të qëndroj, të bëj punën dhe gjithkush që e njeh këtë punë e di fort mirë se kjo punë e tillë është, e varur nga vota e shumicës, e rëndë si e tillë, kufizuese, të rrëzon, të thyhen, të bën copash aq sa nuk merr dot frymë, por unë e kam pranuar këtë punë e nuk bëj dot pas, e kam të ndaluar të bëj pas.”
Me këtë pranim, Braçe e kthen vetë justifikimin në akuzën më të rëndë ndaj vendimit të tij. Ai e dinte se ligji ishte i gabuar, e denonconte presionin e Ramës si antidemokratik, por zgjodhi t’i nënshtrohej për të ruajtur pozicionin politik. Mandati i deputetit nuk është një vend pune që duhet mbrojtur duke sakrifikuar bindjet dhe interesat që pretendon se përfaqëson.
Për më tepër, Braçe përpiqet ta paraqesë votën si një mundësi për të vazhduar betejën për reformën e vërtetë të pushtetit vendor, decentralizimin dhe autonominë financiare të bashkive. Por edhe këtu rrëzon argumentin e vet, pasi pranon se qeveria nuk i ka dhënë asnjë përgjigje të qartë për transferimin e pushtetit dhe kompetencave. Madje, kur pyet veten nëse beson se kjo do të ndodhë, përgjigjet: “Deri diku po por jo plotësisht.”
Pra, Braçe votoi për një ligj që e konsideron të gabuar, në emër të një reforme të ardhshme për të cilën nuk ka garanci.
Ndërsa ai sot përpiqet të ndajë votën e tij nga Edi Rama, realiteti është shumë më i thjeshtë: kryeministri kërkoi bindje, kërcënoi me përjashtim dhe në fund mori edhe votën e kundërshtarit të tij më këmbëngulës brenda PS-së.
Braçe mund ta kritikojë Ramën sa të dojë pas votimit, por kritikat nuk e zhbëjnë votën. Nuk mund të denoncosh publikisht një ligj si të dëmshëm, të pranosh se je vënë përballë një ultimatumi antidemokratik dhe më pas ta paraqesësh nënshtrimin si sakrificë për qytetarët.
Ata qytetarë që protestonin jashtë Kuvendit nuk kërkonin që Braçe të ruante vendin në grupin socialist. Kërkonin që përfaqësuesit e tyre të mos miratonin zhdukjen e 15 bashkive.
Dhe pikërisht këtu qëndron prerja në besë: në momentin kur duhej të zgjidhte mes qëndrimit që kishte mbrojtur dhe ultimatumit të kryeministrit, Braçe zgjodhi të shpëtonte pozicionin e tij politik.
Tani kërkon që qytetarët ta kuptojnë. Por ajo që mbetet pa shpjeguar nuk është pse Braçe donte të qëndronte deputet. Është pse qytetarët duhet të paguajnë çmimin politik të qëndrimit të tij?