Skip to content
Kryesore

Rastësi? Gazetarja e “Fiks Fare” kërkon llogari nga Balluku për kërcënimet ndaj dëshmitares së SPAK, pak orë më vonë përfundon në Traumë pas aksidentit të rëndë!

· 3 min lexim

Gazetarja investigative e emisionit “Fiks Fare”, Kamila Xhakaj, ka përfunduar në Spitalin e Traumës pas një aksidenti të rëndë me motor, vetëm disa orë pasi ishte përballur me Belinda Ballukun për t’i kërkuar përgjigje mbi dëshmitë për kërcënime dhe presione ndaj një dëshmitareje të SPAK.

Një kronologji që ngre pikëpyetje: Rastësi apo një ngjarje që fsheh rrethana ende të pazbardhura?

Gjithçka nisi me investigimin e “Fiks Fare” mbi dëshminë e Mirzeta Kashnicës, punonjëse e Ministrisë së Infrastrukturës, e cila ka denoncuar kërcënime dhe presione, duke përmendur Belinda Ballukun dhe persona të tjerë.

Gazetarja Kamila Xhakaj iu afrua Ballukut për t’i kërkuar shpjegime mbi akuzat. Por përballja u shoqërua me tensione. Balluku nuk iu përgjigj pyetjeve, vijoi rrugën drejt palestrës dhe pretendohet se e shtyu gazetaren, përpara se të nxirrte telefonin për të filmuar grupin televiziv.

Vetëm disa orë më vonë, Xhakaj u përfshi në një aksident të rëndë me motor, duke pësuar fraktura në gjymtyrë.

Pas përmendjes në Spitalin e Traumës, gazetarja mësohet t’u ketë deklaruar punonjësve të policisë:

“Nuk e di se çfarë ndodhi… Nuk e di si arrita të shpëtoja!”

Xhakaj njihet për pasionin ndaj motorëve, të cilët i përdor edhe për lëvizjet e përditshme. Por çfarë ndodhi konkretisht në ato momente? A humbi kontrollin e motorit, apo pati ndërhyrje nga një faktor tjetër? A ekzistojnë kamera sigurie dhe dëshmitarë që mund të zbardhin dinamikën?

Nga Kamila Xhakaj te Kastriot Myftaraj, një tjetër histori që ngre pikëpyetje

Ngjarja rikthen në vëmendje edhe rastin e gazetarit Kastriot Myftaraj, i cili më 3 nëntor 2021 depozitoi në SPAK një kallëzim penal ndaj Belinda Ballukut për pretendime lidhur me mospërputhje në formularët e vetëdeklarimit dhe të dhënat mbi arsimimin e saj jashtë vendit.

Më vonë, Myftaraj humbi jetën pas rënies nga kati i katërt i banesës së tij në Tiranë.

Policia e trajtoi fillimisht ngjarjen si vetëhedhje, ndërsa në shkurt 2023 Prokuroria e Tiranës kërkoi pushimin e hetimeve, duke deklaruar se nuk kishte konstatuar faktorë të jashtëm që kishin ndikuar në vdekjen e tij.

Familjarë dhe persona të afërt me gazetarin ngritën dyshime për rrethanat e ngjarjes, megjithëse nuk u konfirmua ndonjë lidhje mes vdekjes dhe kallëzimit ndaj Ballukut.

Rastësi apo një kronologji që kërkon hetim?

Dy gazetarë, dy histori të ndryshme dhe një emër politik që shfaqet në kontekstin e punës së tyre: Belinda Balluku.

Në rastin e Kamila Xhakajt, pyetjet janë të drejtpërdrejta: Çfarë e shkaktoi aksidentin? A është rindërtuar plotësisht dinamika? A janë administruar pamjet e kamerave të sigurisë? A ka elemente që përjashtojnë ose ngrenë dyshime për përfshirjen e një pale tjetër?

Veçanërisht shqetësues mbetet fakti që aksidenti ndodhi në ditën kur gazetarja po kërkonte përgjigje për pretendime mbi kërcënimin e një dëshmitareje në një hetim të SPAK.

Afërsia kohore e ngjarjeve nuk përcakton vetvetiu shkakun e aksidentit, por e bën të domosdoshëm zbardhjen e plotë të rrethanave.

A ishte gjithçka një rastësi, apo ka detaje që ende nuk kanë dalë në dritë?

Kjo është pyetja që kërkon përgjigje. Dhe përgjigjja duhet të vijë nga faktet, provat dhe transparenca e institucioneve.