Skip to content
Kryesore

Rama-Goxhaj, përplasja që nisi nga protesta dhe u kthye në luftë dokumentesh për UÇK-në

· 6 min lexim

Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe Dritan Goxhajt ka kaluar nga podiumi i protestës para Kryeministrisë në një betejë publike me akuza, dokumente dhe kundërshkresa për të kaluarën e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Gjithçka nisi në ditën e 23-të të protestës së qytetarëve në Tiranë, ku Goxhaj doli para protestuesve dhe lexoi deklaratën me kërkesat e grupit koordinues.

Në deklaratën e lexuar prej tij, grupi koordinues kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ngritjen e një qeverie teknike. Goxhaj bëri të qartë se protesta nuk kërkon negociata me qeverinë, nuk është peticion dhe nuk synon krijimin e një partie të re, por një proces tranzicioni përmes një Asambleje Kombëtare.

Pikërisht pas këtij momenti, vëmendja u zhvendos nga kërkesat e protestës te vetë figura e Dritan Goxhajt. Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër në rrjetet sociale, duke e sulmuar atë për pretendimet mbi rolin e tij në UÇK dhe duke publikuar një dokument që, sipas tij, provonte se Goxhaj nuk kishte luftuar në Kosovë.

Rama e cilësoi Goxhajn “manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman”, ndërsa publikoi një dokument të firmosur nga Xheladin Gashi, i njohur si Komandant Plaku, një nga ish-drejtuesit e UÇK-së.

Në reagimin e tij, Rama shkroi:

“Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që i revoltuar me hosanatë e mbrojtësve të këtij tipit, më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah.

Ndërsa këto janë fjalët e mia: Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, do ndihet shumë i turpëruar kur e vërteta të dalë në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale të shpërndahet.”

Në dokumentin e publikuar nga Rama thuhet se më 14 prill 1999, në qendrën stërvitore të UÇK-së në Helshan, mbërritën si vullnetarë katër oficerë të Ushtrisë Shqiptare: Arqile Mandro, Ermir Begaj, Driton Dyrmishaj dhe Agim Sallaku. Sipas shkresës, ata u sollën me makinë nga Dritan Goxhaj, djali i Dilaver Goxhajt, i cili në atë kohë përshkruhej si vullnetar në luftën e Kosovës dhe pjesëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Në dokument pretendohet se oficerët e ardhur nga Shqipëria punonin për përgatitjen e forcave të UÇK-së, ndërsa kur Dritan Goxhaj u largua për në Tiranë, shokët e tij e pyetën nëse do të qëndronte me ta në luftën për çlirimin e Kosovës. Sipas dokumentit, ai u përgjigj:

“Nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftën e Kosovës.”

Publikimi i këtij dokumenti ndezi menjëherë debatin publik, pasi Rama e përdori atë për të vënë në pikëpyetje profilin e Goxhajt si ish-luftëtar i UÇK-së dhe si figurë e dalë në krye të kërkesave të protestës.

Por pak orë më vonë doli në publik një tjetër dokument, i cili u paraqit si kundërpërgjigje ndaj akuzave të Ramës. Në këtë shkresë thuhet se Dritan Goxhaj ka shërbyer në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga 1 marsi 1999 deri në përfundim të luftës. Sipas dokumentit të dytë, Goxhaj ka mbajtur edhe detyrën e komandantit të një batalioni gjatë periudhës së konfliktit.

Kjo shkresë u përdor nga mbështetësit e Goxhajt si provë se pretendimi i Ramës nuk qëndron dhe se Goxhaj ka qenë pjesë e strukturave të UÇK-së. Në këtë pikë, debati mori formën e një përplasjeje dokumentesh: nga njëra anë dokumenti i publikuar nga Rama, që e paraqet Goxhajn si person që u largua dhe refuzoi të qëndronte në luftë, dhe nga ana tjetër shkresa që e paraqet atë si pjesë dhe drejtues në radhët e UÇK-së.

Më pas, Rama e përshkallëzoi sërish përplasjen. Ai publikoi një video ku një person lexon një tjetër material, sipas të cilit Dritan Goxhaj dhe babai i tij, Dilaver Goxhaj, nuk kishin qenë ushtarë të UÇK-së, por persona të paguar prej saj.

“Dje “Komandant” me pagesë, po sot shërbëtor me çfarë?”, shkroi Rama.

Në videon e publikuar nga kryeministri thuhet:

“Mbrëmë aty na doli një djalë që shihet si ish ushtarë UÇK-je. As ai dhe as babai i tij s’kanë qenë ushtarë të saj, por mercenarë. Dritan Goxhaj dhe Dilaver Goxhaj, babai i tij, të dy kanë qenë të paguar nga UÇK, madje një njoftim nga konamdant Plaku, një nga themeluesit e saj thotë: Në 14 prill 1999 në qendrën stërvitore të UÇK-së në Helshan erdhën si vullnetarë për luftën, për çlirimin 4 oficera të ushtrisë shqiptare dhe konkretisht, Arqil Mandro, Ermir Begaj, Dritan Dyrmishaj dhe Agim Sallaku. I solli me makinë Dritan Goxhaj, djali i Dilaver Goxhajt, aktualisht vullnetar në luftën e Kosovës. Këta i kanë sjellë për të përgatitur ushtarët e UÇK, pra s’kanë ardhur vullnetarë, por me pagesë. Kur Dritan Goxhaj u largua për Tiranë, shokët e tij që erdhën vullnetarë i thanë: ‘Po ti nuk do të qëndrosh me ne në luftën për çlirimin e Kosovës?’, ai u përgjigj: ‘Nuk më kanë marrë erë nga koka si ima atë të vij në luftën e Kosovës’. Vullnetarët e ardhur nga perëndimi u indiniuan nga përgjigja që ai dha, por nuk patën mundësi të reagonin sepse Dritani ndezi makinën me shpejtësi dhe u largua menjëherë, shkruar nga komandant Plaku. Ndërsa më vonë në arkivat e UÇK, del që Dritani ka marrë para edhe për Arqilin edhe për Dritan Dërmishin dhe për të gjitha. Që do të thotë i ka marrë 800 e 800 për muajin maj dhe qershor. 1600 marka edhe për Afrimin edhe për Ermirin 1600, po edhe për vete 1600 për të dy muajt edhe pse është larguar nga UÇK.”

Kështu, përplasja që nisi me Goxhajn si lexues të kërkesave të protestës, u kthye në një betejë të hapur politike për të kaluarën e tij në Kosovë. Rama e akuzon se ka manipuluar opinionin publik dhe se nuk ka luftuar në radhët e UÇK-së, ndërsa dokumenti i publikuar më pas e paraqet Goxhajn si pjesë të UÇK-së nga marsi i vitit 1999 deri në fund të luftës dhe si komandant batalioni.

Deri tani, institucionet zyrtare nuk kanë dhënë një qëndrim përfundimtar mbi vërtetësinë e dokumenteve të publikuara nga palët. Përplasja mbetet e hapur, ndërsa beteja Rama-Goxhaj ka zhvendosur vëmendjen nga kërkesat e protestës te një luftë akuzash për UÇK-në, rolin e Goxhajt dhe përdorimin politik të së kaluarës së luftës së Kosovës.