Qyno: Agasi u tregoi institucioneve fotot e Ervis Martinajt të vrarë, kështu fitoi besimin e Ramës

Gazetari Elton Qyno ka bërë një deklaratë të fortë për zhdukjen e Ervis Martinajt, duke pretenduar se Ergys Agasi dispononte fotografi që tregonin Martinajn të vrarë dhe se këto materiale ua kishte treguar institucioneve shqiptare. Sipas Qynos, pikërisht pas këtij momenti Agasi fitoi besimin e kryeministrit Edi Rama dhe rriti ndjeshëm ndikimin e tij.
Deklarata u bë në podcastin “MaShqip me Flamur Vezaj”, ku Qyno ishte i ftuar së bashku me gazetarin Artan Hoxha. Duke folur për periudhën pas zhdukjes së Martinajt në gusht 2022, Qyno pretendoi se Agasi kishte informacion konkret për fatin e tij, ndërsa çështja vazhdonte publikisht të mbetej e pazbardhur.
“Me foto u tregoi institucioneve se Ervis Martinaj është vrarë dhe për këtë mori gjithë besimin e Ramës”, deklaroi Qyno.
Sipas gazetarit, materialet mund të kenë mbërritur në nivelet më të larta të shtetit, ndërsa ai ngriti edhe mundësinë që ato t’i jenë dërguar ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni.
“Është folur më për atë 100 ditëshen e famshme që gjejmë Ervis Martinajn? I dha urdhër Rrumbullakut ta gjente brenda 100 ditësh. Nuk është folur më, në fakt atë e ka provuar Ergys Agasi se çfarë ka ndodhur me Vis Martinin, me fotot. Unë thashë që ia ka dërguar instancave më të larta. Mund t’ja ketë nisur dhe Vlorës ai.
Fakti që ka pasur informacion brenda grupeve kriminale do të thotë që ka pasur gjithë informacionin aty dhe atje ky njeri mori forcën”, deklaroi Qyno.
Pretendimi i gazetarit ngre pikëpyetje të forta mbi atë se çfarë dinin institucionet për fatin e Ervis Martinajt dhe çfarë ndodhi me fotografitë që, sipas Qynos, Agasi ua kishte paraqitur atyre. Deri më sot, fati i Martinajt nuk është zbardhur zyrtarisht nga autoritetet.