Skip to content
Aktualitet

Qeveria tërhiqet nga përgjimi i qytetarëve, çfarë parashikonte ligji që ‘superfuqizonte’ Policinë

· 2 min lexim

Pas debateve të mëdha publike që u ngritën në mas për ligjin për Policinë e Shtetit, Qeveria ka bërë një hap pas. Ditën e sotme, teksa raportonte në Komisionin e Sigurisë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, u shpreh se janë rishikuar pjesët për përgjimet e Policisë.

Sipas tij, fjala ‘përgjim’ nuk është më në draft, por është zëvendësuar me ‘mbikqyrje ambientale’. Kohë më parë një debat i madh u ndez pasi me këtë ligj synohej t’i jepeshin Policisë atribute për të kryer përgjime, ndërkohë që është kompetencë e Prokurorisë.

Me ligjin e ri, Lleshaj u shpreh se Policia do mbikqyrë në mënyrë të veçantë në vende publike, dhe jo komunikimet elektronike.

“Është zëvendësuar fjala përgjim ambiental me mbikqyrje. Dhe kjo besoj që e ka zhvlerësuar dhe adresuar në thelb shqetësimin e disa kolegëve, dhe përfaqësues institucionesh.

Në thelb ligji 131, gjatë veprimtarisë informativo- gjurmuese, me qëllim parandalimin e veprave penale, zbulimin e tyre, autorëve. Policia merr, përpunon. dokumenton informacion nëpërmjet:

a)Mbikqyrjes së veçantë zanore të komunikimeve joelektronike.

  1. b) mbikëqyrjes së veçantë për personat e dyshuar në vendet publike
  2. c) Gjurmimin e personave të dyshuar me mjete dhe teknika të veçanta për të lokalizuar vendndodhjen.

Këto atribute i kanë Policitë në gjithë botën.”- tha Lleshaj.

Çfarë parashikonte ligji?

Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të autorëve të tyre, Policia e Shtetit përdor këto masa të veçanta:

Përgjimin ambiental të bisedave të personave në ambiente publike, si dhe në mjete të transportit publik;

Përdorimin e pajisjeve teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes;

Përgjimin e bisedave telefonike ose telekomunikimeve, që rregullohet me ligj të veçantë;
Mbikëqyrjen e fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale.

Përdorimi i masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij neni, bëhet me vendim të miratuar nga titullarët e strukturave të policisë, në nivel drejtorie qendrore e vendore.

/GazetaReforma.com/