Skip to content
Kryesore

Qendrat e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin/ Renzi: Të kthehen në burgje

· 2 min lexim

Qendrat e emigrantëve të ngritura në Shëngjin e Gjadër ku do të akomodohen emigrantët që kapen në brigjet e Italisë, bazuar në marrëveshjen mes Kryeministres Giorgia Meloni dhe kreut të Qeverisë shqiptare, Edi Rama, vijojnë të prodhojnë debate në Itali.

Ish-kryeministri italian, Matteo Renzi, tani pjesë e opozitës, ka propozuar që qendrat e emigrantëve në Shqipëri të shndërrohen në institucione ku shqiptarët e dënuar në Itali të vuajnë dënimin e tyre.

Gjatë kritikave ndaj kryeministres Giorgia Meloni, për shpenzimin e 1 miliardë eurove për ngritjen e këtyre qendrave, Renzi sugjeroi që ato të përdoren për akomodimin e rreth 2 mijë shqiptarëve të dënuar në sistemin penal italian.

“Ajo qendër emigrantesh nuk do të funksionojë kurrë. Por tashmë paratë janë shpenzuar. Propozimi im është i thjeshtë: vendosim në qendrën e emigrantëve rreth 2000 të dënuar shqiptarë që sot janë në burgjet italiane. E mbyllim kështu super dështimin. Reduktojmë kostot dhe të mos mbajmë më karabinierë dhe policë në Shqipëri, duhen në itali. Këta agjentë duhen për rrugët tona. Të transformojmë qendrën e emigrantëve në burg për të dënuarit shqiptarë dhe këtë ta bëjmë menjëherë”, shprehet Renzi.

Qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër u vunë në funksion dy muaj më parë, kur erdhi grupi i parë me 16 emigrantë afrikanë, 12 prej të cilëve u vendosën në Gjadër për pak ditë.

Ata u kthyen në Itali pas vendimit të Gjykatës së Romës që konsideroi se Egjipti dhe Bangladeshi nuk ishin vende të sigurta, sikundër trajtoheshin këto dy shtete në dekretin e Qeverisë Meloni.

E njëjta gjë ndodhi edhe me grupin e dytë të emigrantëve që erdhën në Gjadër në nëntor dhe që u kthyen në Itali me vendim të gjykatës së Romës.