Skip to content
Bota

Pse Ukraina nuk është anëtare e NATO-s? Gjithçka duhet të dini rreth shqetësimit të Putinit që kulmoi me nisjen e pushtimit

· 5 min lexim

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka bërë thirrje NATO-s që të mos zgjerohet në Ukrainë apo në ndonjë ish-republikë tjetër sovjetike, duke shprehur shqetësimin për aleancën ushtarake dhe politike të krijuar si kundërpeshë ndaj ish-Bashkimit Sovjetik. Pse?

Shumë e shohin çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO si thelbësore për tensionet dhe krizën që kulmoi me nisjen e pushtimit të Ukrainës nga Rusia natën e 24 shkurtit.

Megjithatë, ka shpjegime të tjera se pse Rusia pushtoi Ukrainën.

Rusia kërkon që NATO-ja të mos i ofrojë kurrë anëtarësim Ukrainës. Ukraina, e cila fitoi pavarësinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, ka aspiruar prej kohësh të anëtarësohet në Aleancë, por nuk ka marrë një ftesë.

 

 

Vendimi i aleancës së NATO-s për të mos ftuar Ukrainën për anëtarësim është pjesërisht për shkak të korrupsionit zyrtar të Ukrainës, mangësive në ngritjen mbrojtjes së saj dhe kontrollit të dobët mbi kufijtë e saj ndërkombëtarë, shpjegohet në tekstin e portalit Just Security, “Pushtimi rus i Ukrainës në thelb nuk i përket NATO-s”.

Ky mendim mbështetet duke thënë se Rusia e di se zgjerimi i mëtejshëm i aleancës së NATO-s në lindje është pak i besueshëm, sepse disa anëtarë të Aleancës e kanë refuzuar prej kohësh këtë perspektivë, gjë që e bën të pamundur arritjen e konsensusit të nevojshëm.

Rusia ka gjithashtu një aleat autoritar të NATO-s, kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili mund të ndihmojë në parandalimin e çdo konsensusi në të ardhmen, si dhe anëtarët e tjerë të NATO-s, ndërkaq Gjermania dhe Franca nuk e mbështesin anëtarësimin e Ukrainës, Gjeorgjisë apo shteteve të tjera post-sovjetike.

Garancitë e sigurisë që Rusia kërkon tani, shkojnë përtej çështjes së anëtarësimit. Fjalimi i Putinit, më 21 shkurt, tregon se ai e sheh çdo bashkëpunim të sigurisë midis Ukrainës dhe NATO-s, që nga modernizimi i aeroportit e deri te trajnimi, si një “thikë në fyt [të Rusisë]”.

Reagimi i NATO-s pas fillimit të pushtimit
NATO, të njëjtën ditë, më 24 shkurt, pak orë pas shpalljes së luftës në Ukrainë, filloi vendosjen e forcave shtesë të mbrojtjes tokësore dhe ajrore. Gjithashtu, siç është thënë nga selia e Aleancës Veri-atlantike , mjetet shtesë detare po vendosen në krahun lindor të Aleancës.

Vendimi është marrë pas një takimi të jashtëzakonshëm të Aleancës Veri-atlantike, ku rritja e gatishmërisë është shpjeguar me “përgjigjen ndaj të gjitha situatave të paparashikuara”.

Pas takimit, Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i Aleancës, tha: “Paqja në kontinentin tonë është prishur. Ne tani kemi një luftë në Evropë në një shkallë dhe lloj që menduam se i përkiste historisë”.

Në fjalën e tij, Stoltenberg vuri në dukje se NATO-ja e ndihmoi Ukrainën në vitin 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë dhe se do të ndihmojë edhe tani, porse ukrainasit, për momentin, nuk mund të llogarisin në mbështetjen ushtarake të Aleancës.

Në deklaratë thuhet se veprimet e Rusisë përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike dhe mund të kenë pasoja të rënda gjeostrategjike.

Kur u themelua NATO?
Traktati për themelimin e Aleancës Veri-atlantike u nënshkrua në vitin 1949 nga 12 shtete. Ishte një Aleancë që supozohej të kundërshtonte Bashkimin Sovjetik të atëhershëm.

E fundit që iu bashkua Aleancës ishte Maqedonia e Veriut në vitin 2020.

NATO-ja ka 4,200 personel dhe ambasadat e vendeve anëtare kanë selitë e tyre në Bruksel. Aleanca po bashkëpunon me Kombet e Bashkuara (OKB).

NATO-ja dhe OKB-ja kanë pika të përbashkëta në strukturën e organizatës, si organizata ndërkombëtare që mbështeten financiarisht nga shtetet anëtare. Të dyja organizatat dominohen nga ndikimi politik i fuqive perëndimore, në mesin e të cilave janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thekson revista The Conversation.

Megjithatë, dallimet ndërmjet NATO-s dhe OKB-së duhet të theksohen. NATO është një aleancë ushtarake, e gatshme për të luftuar nëse lind nevoja. Kombet e Bashkuara punojnë për të parandaluar dhe penguar luftën përmes misioneve paqeruajtëse, negociatave politike dhe mjeteve të tjera.

Marrëveshja e shkurtër obligon vendet anëtare të NATO-s të mbrojnë njëra-tjetrën në rast kërcënimi.

“Sulmi ushtarak kundër një anëtari do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve”, thotë neni 5 i traktatit.

Ky nen u aktivizua pas sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në Nju Jork, kundër Shteteve të Bashkuara dhe me fillimin e pushtimit të Afganistanit.

NATO-ja përdori gjithashtu mjete politike dhe ligjore për t’u përfshirë në luftën në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, në fund të viteve ‘90 dhe në fushatën e Irakut të vitit 2003.

Si të bëhesh anëtar i NATO-s?
Nga 12 shtete anëtare sa kishte në fillim, në 70 vjetët e fundit NATO është zgjeruar në 30 shtete. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja janë dy vendet e vetme joevropiane që janë anëtare të NATO-s. Shtetet anëtare mund të ftojnë vende të tjera evropiane që t’i bashkohen organizatës. Anëtarët e mundshëm duhet të ndjekin vlerat demokratike dhe të kontribuojnë në sigurinë euroatlantike në mënyrë që të merren në konsideratë.

Të ftuarit do të marrin Planin e Veprimi për Anëtarësim (MAP) që i këshillon se si të bëhen anëtarë dhe ky është një hap që duhet ndjekur në mënyrë që të pasojnë negociatat për anëtarësim.

Anëtarët e NATO-s duhet të nënshkruajnë unanimisht një protokoll për aderim me marrëveshjen në mënyrë që vendi të bëhet pjesë e organizatës.