Protestuesit distancohen nga incidenti te Komisariati Nr. 3: Katër të infiltruar provokuan dhunën, nuk janë pjesë e tubimit

Organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestës masive të zhvilluar në Tiranë janë distancuar nga incidenti i ndodhur pranë Komisariatit Nr. 3, duke deklaruar se aktet e dhunshme nuk u kryen nga protestuesit.
Sipas reagimit të tyre, katër persona të infiltruar, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me protestën, provokuan incidentin me qëllim që të dëmtonin karakterin paqësor të tubimit. Ata pretendojnë se këta individë ishin të lidhur me forca politike që, sipas tyre, u ndien të kërcënuara nga përmasat e protestës.
Protestuesit theksojnë se në momentet e tensionit ishin vetë qytetarët ata që reaguan menjëherë, duke thirrur në kor “Jo dhunës!” dhe duke izoluar çdo tentativë për provokim. Ata i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit të identifikojë sa më shpejt autorët e incidentit dhe e krahasojnë këtë ngjarje me episodin e mëparshëm të flamurit të Izraelit, të cilin e cilësojnë si një tjetër përpjekje të dështuar për të krijuar përçarje dhe intimidim.
Sipas tyre, incidenti nuk mund të njollosë revoltën e mijëra qytetarëve që morën pjesë në një nga protestat më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në vend. Tubimi u shoqërua me simbolika të forta, si torta e betonit, arkivoli politik dhe rrobat e burgut.
Protestuesit deklarojnë se marshimi do të vazhdojë paqësisht deri në largimin e kryeministrit. Duke sjellë në vëmendje edhe ngjarje të së kaluarës, si 21 janari, ata shprehen se niveli i korrupsionit ka kaluar çdo kufi dhe është shndërruar në një revoltë të thellë qytetare. Sipas tyre, zemërimi ndaj kreut të qeverisë po rritet vazhdimisht dhe u reflektua qartë edhe në protestën e fundit.