Protestat thellojnë çarjet në PS, BIRN: Kritikat ndaj Ramës shpërthejnë nga brenda partisë

Protestat qytetare kundër qeverisë duket se kanë hapur për herë të parë një përplasje të dukshme edhe brenda Partisë Socialiste. Sipas një analize të BIRN, mënyra se si kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestuesve ka shkaktuar pakënaqësi jo vetëm në opinionin publik, por edhe mes deputetëve dhe ish-zyrtarëve të vetë PS-së, të cilët kanë kërkuar reflektim, dialog dhe ndryshim të qasjes.
Shenja më e fortë e kësaj pakënaqësie erdhi nga deputetja 26-vjeçare Marjana Koçeku, e cila në mesin e qershorit njoftoi largimin nga grupi parlamentar socialist dhe shpalli se do të vijonte mandatin si deputete e pavarur.
“Prej sot jam deputete e pamvarun,” shkroi Koçeku në Facebook. “Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë.”
Pak ditë më vonë, ajo u pa mes protestuesve, duke u kthyer në figurën e parë të zgjedhur nga radhët e socialistëve që iu bashkua publikisht demonstratave.
Në deklaratat për BIRN, Koçeku tha se nuk dëshironte të bëhej pjesë e vetëkritikës së kontrolluar brenda partisë.
“Kritika është përvetësuar dhe internalizuar aq shumë nga partia, sa duket sikur qeveria ka marrë përsipër të jetë vetë opozita e saj.”
“Nuk doja të bëhesha pjesë e një valleje të tillë vetëkritike brenda partisë. Zgjodha t’i shpreh mendimet e mia si deputete e pavarur. Besoj se kjo është më e vështirë.”
Ajo shtoi se prioritetet e saj mbeten mbrojtja e mjedisit, identiteti kulturor dhe zhvillimi i qëndrueshëm, duke theksuar se si deputete e pavarur mund t’i përfaqësojë më mirë këto kauza.
Sipas BIRN, protesta që nisi për akuzat se ligjet janë ndryshuar për t’i hapur rrugë një projekti turistik luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, ka nxjerrë në sipërfaqe pakënaqësi më të gjera për mënyrën e qeverisjes, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit.
Analiza thekson se Rama, i befasuar nga përmasat e protestave, ka kaluar nga fajësimi i algoritmeve të rrjeteve sociale te akuzat ndaj Iranit, Greqisë dhe kundërshtarëve të paidentifikuar të zhvillimit të vendit, ndërsa në disa raste ka sulmuar publikisht edhe protestues të veçantë në rrjetet sociale.
Kjo strategji është kritikuar edhe nga figura të njohura të Partisë Socialiste.
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shkroi se protestuesit nuk janë të manipuluar, por qytetarë të revoltuar.
“Protestuesit nuk udhëhiqen as nga Irani, as nga algoritmet dhe as nuk protestojnë për mungesë qëllimesh.”
“Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë. Të vetëdijësuar për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar.”
“Janë qytetarë që besojnë se Shqipëria meriton më shumë: më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë.”
“Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi.”
Edhe ish-ministrja Elisa Spiropali kërkoi që Partia Socialiste të bëhet “më e hapur, më e drejtë, më meritokratike, më europiane”, duke bërë thirrje për vetëpastrim dhe më shumë demokraci të brendshme.
Ndërkohë, Arta Dade kritikoi ashpër vendimin e Ramës për të zhvilluar aktivitetin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste në të njëjtin vend ku po protestonin qytetarët.
Sipas saj, përdorimi i forumeve të PS-së për të sulmuar protestuesit “e përdhos vetë Partinë Socialiste, e keqpërdor atë dhe i bën bashkëfajtorë të gjithë ata që e dëgjojnë dhe shtiren sikur e miratojnë.”
Dade kërkoi që qeveria të nisë komunikimin me përfaqësuesit e protestuesve dhe të shfuqizojë ligjet që kanë shkaktuar reagimin qytetar.
Analiza e BIRN sjell edhe vlerësimin e gazetarit Armand Shkullaku, i cili argumenton se gjatë 13 viteve të qeverisjes së Ramës është zhdukur kritika e brendshme në Partinë Socialiste.
“Në 13 vitet e fundit që Rama ka qenë në pushtet, ka qenë e vështirë të shprehësh kritika ndaj partisë. Nuk mbajmë mend as një zë të fortë dhe as një zë të qetë që t’i jetë kundërvënë Edi Ramës.”
Sipas tij, mungesa e demokracisë së brendshme ka prodhuar një krizë përfaqësimi, ndërsa protestat përfaqësojnë “një revolucion të të papërfaqësuarve dhe të përjashtuarve”.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti socialist Petro Koçi, i cili deklaroi për BIRN se reagimi ndaj protestave duhet të jetë “reflektues dhe vetëkorrigjues”, duke shtuar se energjia e krijuar nga lëvizja qytetare duhet të shërbejë për korrigjimin e deformimeve që, sipas tij, ka pësuar sistemi demokratik në Shqipëri.
Read next
“Nuk ka vepër penale për patronazhizmin”, tha kreu i SPAK. Por ligji shqiptar parashikon të paktën 5 nene që mund të hetojnë pikërisht këtë skemë
Kreu i SPAK, Klodian Braho, zgjodhi një përgjigje ngushtësisht teknike kur u pyet në Komisionin e Reformës Zgjedhore…
Dhunohet analisti Ilir Demaliaj, Policia shpall në kërkim autorin e dyshuar dhe sekuestron makinën
Analisti Ilir Demaliaj është dhunuar mesditën e sotme në Tiranë, ndërsa po dilte nga banesa e tij. Sipas…
Nuk mjafton lirimi i protestuesve: Kush dha urdhër për dhunën dhe kush mban përgjegjësi?
Lirimi i protestuesve të ndaluar nuk e mbyll ngjarjen. Përkundrazi, e hap më shumë. Sepse pamjet e qytetarëve…
Pas dorëzimit të “The Albanian Files”, topi është në fushën e SPAK: A do të hetojë Ramën dhe rrjetin pas projekteve?
Sot protesta nuk u ndal para godinës së SPAK vetëm për të dorëzuar një libër. Ajo i dorëzoi…