Skip to content
Kryesore

Prostitucion në zemër të Tiranës, “klientët” siguroheshin nga rrjetet sociale! Policia zbulon dy apartamente, 3 gra në pranga

· 2 min lexim

Dy raste të ushtrimit të prostitucionit, që dyshohet se reklamoheshin përmes rrjeteve sociale, janë zbuluar nga Policia në Tiranë. Aktiviteti zhvillohej në apartamente të marra me qira, ndërsa në pranga kanë përfunduar tre gra, dy shtetase braziliane dhe një kolumbiane.

Një prej rasteve është zbuluar në një apartament të marrë me qira në rrugën “Abdyl Frashëri”. Policia arrestoi L. S., 46 vjeçe dhe T. S., 21 vjeçe, të dyja nga Brazili.

Sipas Policisë, 46-vjeçarja dyshohet se shfrytëzonte 21-vjeçaren për ushtrimin e prostitucionit. Gjatë kontrollit në apartament janë gjetur edhe gjashtë telefona celularë, të cilët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

“L. S., 46 vjeçe dhe T. S., 21 vjeçe (te dyja nga Brazili), pasi dyshohet se 46-vjeçarja shfrytëzonte shtetasen T. S., për të ushtruar prostitucion, në një apartament të marrë me qira, në rrugën “Abdyl Frashëri”, ku u gjetën 6 celularë, të cilët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.”

Rasti i dytë është zbuluar në rrugën “Hamdi Sulcebe”. Atje, Policia arrestoi M. V., 23 vjeçe, shtetase kolumbiane, e cila dyshohet se kishte marrë me qira një apartament për të ushtruar prostitucion.

“M. V., 23 vjeçe (shtetase kolumbiane), pasi dyshohet se kishte marrë me qira një apartament në rrugën “Hamdi Sulcebe”, për të ushtruar prostitucion”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas të dhënave të bëra publike, shërbimet e prostitucionit dyshohet se reklamoheshin nëpërmjet rrjeteve sociale, ndërsa apartamentet e marra me qira përdoreshin për zhvillimin e aktivitetit.

Pas ndërhyrjes së Policisë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.