Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

Nga Andi Bushati
Edi Rama po vijon të sillet si në Shqipërinë e para flamingove. Maratona e gjatë e takimeve propogandistike të Pogradecit nuk qe asgjë më shumë se një përpjekje për të arrnuar të njëjtën skemë të delegjitimuar të qeverisejes. Pasi me shpalljen e platformës Besa kryeminsistri mëtoi të na mbushë mendjen se e gjithë pakënaqësia e akumuluar, vjen si rezultat i rritjes së pritshmërive nga transformimi që ai i ka bërë vendit, një muaj më pas, buzë liqenit të Ohrit, ai foli për trukse si “Pasqyrë Albania“ dhe “Radar“, pra për vënjen në punë të disa mekanizmave që do tentojnë ti japin më shpejt përgjigje nevojave të qytetarëve.
Duket sikur i gjithë shqetësimi pas afro tre muajsh protesta është si të tregojmë më shumë empathi ndaj qytetarëve, si të ulim arrogancën dhe si të aktrojmë sikur preokupimi kryesor është mbajtja e veshëve hapur për hallet e tyre.
Edi Rama u kujdes të bëjë të kapshëm këtë mesazh edhe për ata që nuk kanë njohuri për botën virtuale të përaqitjes së ankesave. Ai përzgjodhi nja tre pensionistë, u kujdes ti dëgjojë me kamera hallet e tyre, qoftë për ca km rrugë që nuk e lidhnin fshatin me autostradën, qoftë për ndonjë problem komshijsh për pronën dhe pastaj i nxori atë ditëzij të moshuar të deklaronin se kishin besim të plotë tek udhëheqësi. Që ky ishte lajmi që ai donte të shpërndante u kuptua më së miri nga një titull emblematik i fletushkës së tij të propagandës, Shqiptarja.com: “Pesë orë rrugë nga Greqia drejt Pogradecit, emigranti: Kam dëshirë të takoj Ramën, pastaj le të vdes”.
Pra, fabula e re që po tenton të ngulitë në mendjet e publikut Rilindja 0.2 është një vetëkorrigjim në komunikimin me njerëzit dhe një premtim për të qëndruar më pranë halleve të tyre. Këtë konfirmoi edhe retreati i Pogradecit si zbërthim i Besës.