Skip to content
Kryesore

Përplasje për pagat e magjistratëve/ Gjykata e Lartë dhe gjyqtarët i kthejnë shpinën tryezës së Ramës: Presim Kushtetuesen! Kryeministria nuk tërhiqet, nis ligjin e ri

· 3 min lexim

Tryeza e thirrur nga kryeministri Edi Rama për pagat e magjistratëve është përballur me refuzimin e Gjykatës së Lartë dhe dy shoqatave të gjyqtarëve. Përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në takimin e 28 shtatorit, me argumentin se çështja tashmë ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe se fjala e saj duhet të paraprijë çdo diskutim institucional.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, bëri të ditur se institucioni që drejton nuk do të përfaqësohet në tryezë. Ai argumentoi se nga momenti kur Rama bëri ftesën ka ndodhur një zhvillim i ri: ligji është dërguar për kontroll kushtetues.

“Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, deklaroi Sadushi.

Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë. Shoqata vlerëson se pjesëmarrja në një diskutim institucional për të njëjtën çështje, ndërkohë që pritet vendimmarrja e Kushtetueses për padinë e magjistratëve, nuk do të ishte e përshtatshme.

“Deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026. Shoqata vlerëson se nuk do të ishte e përshtatshme pjesëmarrja e saj në një diskutim institucional mbi të njëjtën çështje përpara përfundimit të këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e Unionit.

Refuzimi ka sjellë reagimin e Kryeministrisë, e cila thotë se mirëkupton kërkesën për shtyrjen e takimit, por nuk ndan të njëjtin qëndrim për pezullimin e dialogut deri në përfundimin e procesit kushtetues. Sipas saj, bashkëpunimi ndërinstitucional mes aktorëve të drejtësisë mund të vijojë paralelisht me procese të tjera.

Qeveria ndërkohë nuk do të presë vendimin e Kushtetueses për të vijuar punën e saj. Kryeministria njoftoi se duke nisur nga dita e nesërme do të vazhdojë hartimin e ligjit të ri për pagat, i cili më pas synohet të vendoset në tryezën e diskutimit me magjistratët.

“Duke ju falënderuar për komunikimin dhe sqarimet e përcjella lidhur me kërkesën për shtyrjen e takimit të sotëm, mirëkuptojmë këtë kërkesë, ndonëse vlerësojmë se dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë mbetet i rëndësishëm dhe, në parim, i pavarur nga procese të tjera që mund të zhvillohen paralelisht.

Në çdo rast, mbetemi të hapur për vijimin e dialogut dhe për dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimit. Dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se duke filluar nga dita e nesërme, do të vijojmë punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtresë e përgjithshme, me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, mbetemi në pritje të dakordësimit për një datë të përshtatshme për vijimin e dialogut”, thuhet në përgjigjen e Kryeministrisë.

Kështu, takimi i parashikuar për sot shtyhet pa një datë të re, ndërsa palët mbeten në qëndrime të ndryshme për momentin kur duhet të zhvillohet diskutimi: magjistratët kërkojnë të flasë më parë Gjykata Kushtetuese, ndërsa qeveria vijon punën për projektin e ri të pagave.