Përgjaket Shkodra për një konflikt banal/ Vritet 24-vjeçari Ylber Luli, plagoset babai i tij

Një konflikt i ndodhur në orët e para të mëngjesit në Shkodër ka përfunduar tragjikisht me vdekjen e 24-vjeçarit Ylber Luli dhe plagosjen e babait të tij, Qamil Luli, 63 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30 në lagjen “Kongresi i Përmetit”, ndërsa Policia thotë paraprakisht se përplasja ka nisur për motive të dobëta.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, 25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se ka plagosur me armë zjarri Ylber Lulin dhe babain e tij, Qamil Lulin.
Në rrethana që mbeten ende nën hetim, babë e bir, Qamil dhe Ylber Luli, dyshohet se kanë plagosur me thikë 25-vjeçarin Vulaj.
Ylber Luli u transportua në spital pas plagëve të marra, por 24-vjeçari nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë.
Viktima ishte i angazhuar në sektorin e turizmit në Shkodër, ku ushtronte profesionin e udhërrëfyesit turistik. Nga puna në turizëm, mëngjesi i sotëm për të përfundoi në një tragjedi që i mori jetën në moshën vetëm 24-vjeçare.
Policia ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e Andri Vulajt, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.