Skip to content
Të Gjitha

Pengu 10 mijë euro në Greqi, jepet masa e sigurisë për njerin prej të arrestuarve

· 2 min lexim

Ditën e djeshme policia arrestoi shtetasin Leandro Pana, në kuadër të operacionit “Korinthos”.

Krimet e Rënda vendosën ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, shkruan “Panorama”.

Organi i akuzës pretendon se Pana është bashkëpunëtor me 4 persona e tjerë të arrestuar në Greqi.

Të pestë këta persona kishin marrë peng Jetmir Terollarin dhe i kërkonin 10 mijë euro për ta lënë të lirë.

Mbi ta rëndojnë akuzat e “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”si dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë avokati i Panës pretendon, se klienti i tij nuk ka pasur dijeni për pengmarrjen.

Kujtojmë këtu se Jetmir Terollari u nis drejt Greqisë pas telefonatës nga e dashura e tij H.M, e cila i tha se i kishte gjetur punë në shtetin helen.

Terollari u nis drejt Greqisë dhe ndërsa priste në stacionin e autobusëve, u mor me forcë në makinë nga Xh.N.

Më pas pengmarrësit nëpërmjet 24-vjeçarit L.P, kërkonin që t’i merrnin 10 mijë euro vëllait të Terollarit në Tiranë.

Kanë qenë telefonatat e rrëmbyesve në Greqi dhe 24-vjeçarit, të cilat bënë të mundur identifikimin e vendodhjes së pengut.