Skip to content
Kryesore

Pedagogët bashkohen me studentët në protestë, Sindikata shpall bojkot pa afat në të gjitha universitetet publike

· 3 min lexim

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka shpallur bojkot pa afat të mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të vendit, duke iu bashkuar protestës së studentëve dhe nxënësve në Tiranë. Vendimi hyn në fuqi sot, më 21 tetor, dhe do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë.

Vendimi është miratuar njëzëri nga kryesia e sindikatës gjatë mbledhjes së 20 tetorit, të zhvilluar në sheshin ku protestojnë studentët dhe nxënësit. Përmes kësaj nisme, pedagogët shprehin solidaritetin me të rinjtë dhe kundërshtojnë përdorimin e dhunës ndaj protestuesve.

Në deklaratën e saj, SPUSH thekson se studentët kërkojnë prej muajsh arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri për jetën dhe pronën, si dhe llogaridhënie nga institucionet. Sindikata deklaron se këto kërkesa janë përballur fillimisht me heshtje, ndërsa prej 13 tetorit edhe me atë që e cilëson dhunë ekstreme.

“Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

SPUSH nënvizon se shqetësimet e studentëve për situatën politike dhe ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë ndahen edhe nga pedagogët. Për këtë arsye, bojkoti synon jo vetëm mbështetjen e protestës, por edhe kërkimin e përgjegjësisë institucionale për zhvillimet e ditëve të fundit.

Ndër kërkesat kryesore të sindikatës është ndërprerja e menjëhershme e përdorimit të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë.

SPUSH kërkon gjithashtu nisjen e një hetimi të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës që prej 13 tetorit, si dhe identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave që, sipas saj, kanë urdhëruar apo ushtruar dhunë.

Një tjetër kërkesë lidhet me garantimin e trajtimit të ligjshëm dhe dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar nga policia, krahas plotësimit të kërkesave të paraqitura nga studentët dhe nxënësit.

Sindikata u drejtohet edhe rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë, duke u kërkuar të respektojnë vendimin për bojkot dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve që marrin pjesë në të.

“Bojkoti nuk është braktisje e auditorit. Është mënyra jonë për të treguar se auditori, pa të drejta dhe pa dinjitet, humbet kuptimin e vet. Do të kthehemi në auditor, sapo studentët tanë të marrin përgjigjen që meritojnë”, thekson sindikata.

Përveç ndërprerjes së mësimdhënies, SPUSH u bën thirrje pedagogëve të marrin pjesë aktivisht në protestë. Sipas organizimit të shpallur, ata do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00, përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, për të vijuar mbështetjen ndaj studentëve.

Ndërkohë, pedagogët udhëzohen të ruajnë komunikimin me studentët, t’u sigurojnë materiale didaktike dhe t’u ofrojnë ndihmën e nevojshme gjatë periudhës së bojkotit. Sindikata sqaron se orët e humbura të mësimit do të kompensohen më vonë.

Për vendimin do të njoftohen zyrtarisht të gjitha autoritetet drejtuese të institucioneve publike të arsimit të lartë.

Me këtë vendim, protesta e studentëve dhe nxënësve merr edhe mbështetjen e organizuar të sindikatës së pedagogëve, ndërsa rifillimi i mësimit mbetet i kushtëzuar nga një vendim i mëtejshëm i SPUSH.