Skip to content
Të Gjitha

PD e akuzoi se ka qenë i dënuar, Prokuroria letërporosi në Greqi për Agim Kajmakun

· 2 min lexim

Pas Valdrin Pjetrit, Partia Demokratike hodhi dyshime edhe për pastërtinë e figurës së kreut të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

Ishte Sekretari i Përgjithshëm në PD, Gazment Bardhi, i cili në një deklaratë për mediat pak ditë më parë , i kërkoi Prokurorisë, verifikimin e të shkuarës së Kajmakut në Greqi.

Sipas PD, kreybashkiaku i Vorës ka qenë i arrestuar në Greqi dhe më pas është dëbuar nga autoritetet helene.

Organi i akuzës ka kërkuar nga autoritetet greke, nëse ka të dhëna apo jo për Kajmakun.

Këtij të fundit gjithashtu, i është kërkuar edhe depozitimi i shenjave të gishtave, shkruan “Faxweb”.

“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”, thuhet në denoncimin e Partisë Demokratike.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Vorës ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka qenë i dëbuar nga asnjë vend i BE-së.