Skip to content
Të Gjitha

Patën kontakt me pacienten me koronavirus, 18 persona nga stafi i spitalit të Fierit në pritje për përgjigjen e analizës së dytë

· 2 min lexim

Mbrëmjen e sotme pritet të dalin përgjigjet e analizave të dyta për 18 infermierë, mjekë e sanitarë në Fier, të cilët i shërbyen 61-vjeçares me koronavirus.

Ata për momentin ndodhen në shtëpi të vetëkarantinuar.

Pacientja ishte kthyer më 6 mars nga Italia nëpërmjet portit të Durrësit, por e kishte fshehur këtë fakt.

Pasi shfaqi probleme shëndetësore, gruaja u paraqit në spitalin e Fierit 5 ditë pas kthimit, ndërsa ka marrë edhe ndihmë mjekësore.

Një ditë më vonë është paraqitur sërish në spital, por u ka thënë mjekëve se problemet respiratore i ka pasur edhe më herët.

Pas kontrollit të sistemit TIMS, u vërtetua se ajo kishte hyrë në Shqipëri më 6 mars.

Menjëherë asaj iu morën mostrat për analizë dhe në pritje të përgjigjes u izolua në repartin e pathologjisë.

Pasi përgjigja rezultoi pozitive, ajo u dërgua në Tiranë, ndërsa stafi i spitalit u vendosën në karantinë.

Me përditësimin e fundit, numri i të prekurve nga koronavirusi në vendin tonë ka shkuar në 51, ndërsa është shënduar edhe një viktimë.

Katër prej rasteve të reja janë pjesë e spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Prej ditësh Shqipëria ndodhet në shtetrrethim, pasi policia dhe ushtria kanë ngritur pika kontrolli për të mbikëqyrur zbatimin e urdhërave të qeverisë.

Kryeministri Edi Rama ndërkohë ka dhënë urdhër për ndalimin e makinave private, ku përjashtim bëjnë ato të shërbimeve të emergjencës dhe makinat e autorizuar për transportin e punëtorëve, në fashat orare 06:00-08:00 dhe 16:00-17:00.