Pas dorëheqjes së Evis Salës, Klodiana Spahiu emërohet ministre e Shëndetësisë

Klodiana Spahiu është emëruar ministre e re e Shëndetësisë, duke zëvendësuar Evis Salën, e cila një ditë më parë dha dorëheqjen nga posti. Vendimi për emërimin e ministres së re pritet të kalojë në Parlament të martën, në orën 17:00.
Para emërimit në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Spahiu mbante postin e nënkryetares së Kuvendit dhe është deputete e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 2009.
Klodiana Spahiu ka lindur më 22 maj 1973 në Durrës. Ajo përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, në degën Mjekësi e Përgjithshme, në vitin 1997. Gjatë periudhës 1998-2002 u specializua në Kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza” në Tiranë.
Në vijim të karrierës profesionale, Spahiu kreu disa specializime në kardiologjinë joinvazive, përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG dhe Eko-Doppler të karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë dhe Kirurgjisë “Agostino Gemelli” në Romë.
Në vitet 2003-2004 vijoi studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa në vitin 2005 u specializua në Kardiologjinë Invazive, kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës në Spitalin “Santa Chiara” në Pisa të Italisë. Në periudhën 2012-2014 përfundoi masterin profesional në Menaxhim Shëndetësor.
Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekes në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT, ndërsa gjatë viteve 2003-2009 punoi si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në Spitalin e Durrësit. Më pas u zgjodh drejtore e këtij spitali.
Karrierën si mjeke e ka ndërthurur edhe me angazhimin akademik. Në vitet 2002-2003 ishte pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës, ndërsa në vitin 2006 ishte pedagoge e jashtme e fiziologjisë në Universitetin Privat “UFO” në Tiranë.
Prej vitit 2008 e në vazhdim ka qenë docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Spahiu mban gjithashtu titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Në politikë, ajo është deputete e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 2009. Gjatë aktivitetit parlamentar ka qenë pjesë e disa komisioneve dhe nënkomisioneve, ka drejtuar ose ka qenë anëtare e grupeve të miqësisë dhe ka mbajtur postin e nënkryetares së Kuvendit.