Skip to content
Kryesore

Pas 30 ditësh revoltë dhe mbështetjes së 6 eurodeputetëve, protesta zgjerohet sot edhe para Kuvendit

· 2 min lexim

Pas një muaji protestash të pandërprera para Kryeministrisë dhe mbështetjes së hapur nga gjashtë eurodeputetë europianë, lëvizja qytetare hyn sot në një fazë të re, duke zgjeruar aksionin edhe përpara Kuvendit të Shqipërisë.

Qytetarët do të mblidhen sot në orën 10:00 para Parlamentit, në kohën kur zhvillohet seanca plenare, për të rritur presionin ndaj qeverisë dhe klasës politike. Protesta nuk do të kufizohet më vetëm para Kryeministrisë, por do të shtrihet edhe në institucionin ku miratohen ligjet, me synimin për t’u dërguar deputetëve një mesazh të drejtpërdrejtë.

Vendimi u njoftua në përfundim të protestës së djeshme, e cila shënoi ditën e 30 të revoltës qytetare. Gjashtë eurodeputetët europianë, të cilët iu bashkuan protestuesve, shprehën mbështetjen e tyre, duke deklaruar se do ta çojnë zërin e qytetarëve shqiptarë në institucionet europiane.

Gjatë fjalës së tij, aktivisti Edison Lika u bëri apel protestuesve që të marrin pjesë masivisht në aksionin e sotëm para Kuvendit.

“Do vijojmë të jemi para Kryeministrisë. Kam një lajmërim: nëse nesër në orën 10:00 ka Parlament, kushdo që ka mundësi duhet t’u thotë atyre që nuk janë deputetët tanë! Ftojmë të gjithë protestuesit që mundeshin nesër në 10:00 para Parlamentit!”, u shpreh ai.

Lika sqaroi se protesta para Kuvendit nuk zëvendëson tubimin e përditshëm të mbrëmjes. Ashtu si çdo ditë gjatë këtij muaji, qytetarët do të mblidhen sërish edhe sot në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalimet, e më pas protesta do të vijojë në rrugët kryesore të Tiranës.

“Do jemi edhe në darkë këtu te Kryeministria!”, tha ai.

Në përfundim të protestës së djeshme, protestuesit marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit me thirrje si “Rama jepe dorëheqjen!” dhe “Ju erdhi fundi”, ndërsa organizatorët përsëritën se lëvizja qytetare do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të saj, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit aktual qeverisës.