Skip to content
Kryesore

Paradoksi i së njëjtës ditë: Eurodeputetët mbështesin protestën, Kuvendi heton “ndërhyrjet e huaja”

· 3 min lexim

Në të njëjtën ditë kur disa eurodeputetë iu bashkuan protestës qytetare në Tiranë, brenda Kuvendit diskutohej ngritja e një nënkomisioni për ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimin. Për një qeveri që prej javësh përpiqet ta shpjegojë revoltën qytetare me robotë, rrjete sociale, luftë hibride dhe ndikime të jashtme, ky zhvillim krijon një kontrast të fortë.

Në shesh nuk ishin profile anonime apo llogari në rrjete sociale. Ishin eurodeputetë me mandat politik dhe përgjegjësi institucionale, mes tyre Tineke Strik, Jutta Paulus, Vula Tsetsi, Anna Strolenberg dhe të tjerë, të cilët folën për demokracinë, korrupsionin, mbrojtjen e mjedisit dhe detyrimin e qeverisë shqiptare për të dëgjuar qytetarët.

Kjo e vendos në vështirësi narrativën e pushtetit. Nëse çdo kritikë etiketohet si “ndërhyrje e huaj”, atëherë si duhet të cilësohen eurodeputetët që kërkojnë respektimin e standardeve europiane? Nëse çdo presion ndaj qeverisë quhet dezinformim, atëherë si duhet të interpretohet një amendament i miratuar nga Parlamenti Europian që kërkon moratorium për ndërtimet në zonat e mbrojtura?

Momenti më domethënës i protestës ishte deklarata e eurodeputetes gjermane Jutta Paulus. Ajo tregoi publikisht se kishte marrë një email nga qeveria shqiptare, ku i kërkohej të mos mbështeste amendamentin në Parlamentin Europian.

“Unë mora email nga Edi Rama duke më thënë të mos votoj për një amendament, por sigurisht ne votuam për atë amendament, sepse ligji evropian duhet të jetë në fuqi dhe ai nuk është për shitje”, deklaroi Paulus.

Më pas, ajo publikoi edhe emailin që kishte marrë nga Bora Muzhaqi dhe Taulant Balla, duke treguar se përmes tij tentohej të paraqitej një version i shtrembëruar i situatës në Zvërnec.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by GAZETA REFORMA (@gazetareforma)

Ndërsa qeveria përpiqej të bindte eurodeputetët të mos mbështesnin amendamentin, në publik paraqiste idenë se Bashkimi Europian ishte në të njëjtën linjë me qëndrimin e saj.

Kjo është pika ku kontradikta bëhet më e dukshme. Qeveria i referohet Bashkimit Europian kur kërkon hapjen e kapitujve të negociatave, mbështetje politike apo legjitimitet ndërkombëtar, por reagon ndryshe kur institucionet europiane kërkojnë respektimin e të njëjtave standarde për mbrojtjen e mjedisit dhe shtetin e së drejtës. Integrimi nuk është vetëm proces diplomatik. Ai nënkupton edhe kontroll mbi mënyrën se si ushtrohet pushteti.

Dhe nëse Kuvendi kërkon të hetojë “ndërhyrjet e huaja”, pyetja që lind natyrshëm është kjo: a përbëjnë problem eurodeputetët që kërkojnë zbatimin e ligjit europian, apo fakti që një qeveri përpiqet të ndikojë mbi votën e tyre për një amendament që lidhet me mbrojtjen e zonave të mbrojtura?