Papa Leo XIV do të operohet për një masë në mushkëri, u zbulua në fazë të hershme

Papa Leo XIV, 71 vjeç, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një mase të zbuluar në mushkëri gjatë kontrolleve të fundit mjekësore.
Lajmin e bëri të ditur vetë kreu i Kishës Katolike këtë të diel, më 11 tetor, gjatë lutjes tradicionale në Vatikan, përpara besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.
Papa sqaroi se masa është zbuluar në një fazë shumë të hershme dhe se mjekët kanë rekomanduar heqjen e saj përmes operacionit.
“Mjekët më kanë gjetur një masë të lokalizuar në mushkëri. Është zbuluar në një fazë shumë të hershme dhe është i lokalizuar mirë. Ata e konsiderojnë të nevojshme ndërhyrjen dhe, duke ndjekur këshillën e tyre, kam vendosur të operohem për ta hequr. Operacioni është planifikuar për ditët në vijim. Ju falënderoj për afërsinë tuaj shpirtërore dhe mbështetem te lutjet tuaja”, deklaroi Papa Leo XIV.
Sipas njoftimit të Vatikanit, ndërhyrja kirurgjikale do të kryhet në Poliklinikën “Gemelli” në Romë.
Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, bëri të ditur se operacioni është planifikuar për ditët e para të javës së ardhshme, ndërsa Papa pritet të qëndrojë në spital për rreth një javë pas ndërhyrjes.