Skip to content
Kryesore

Pallatet e reja në Shqipëri, të pasigurta ndaj zjarreve

· 2 min lexim

Kodet e ndërtimit në Shqipëri nuk ofrojnë mbrojtje të plotë nga zjarret, duke rrezikuar jetën e banorëve në raste emergjencash.

Ligji i vitit 2020 detyron projektuesit të marrin masa sigurie, por nuk parashikon detyrime për instalimin e shkallëve të jashtme të emergjencës apo përdorimin e materialeve termike rezistente ndaj zjarrit.

Ndërtesat rezidenciale zakonisht kanë vetëm një korridor të brendshëm dhe një ashensor, pa alternativa për dalje emergjente. Përjashtim bëjnë vetëm objektet e ndërtuara nga institucione ndërkombëtare.

Në Shqipëri mungon një detyrim ligjor për përdorimin e materialeve anti-zjarr. Ndryshe nga vendet e Bashkimit Europian, nuk zbatohet izolimi termik anti-zjarr, portat zjarrprerëse apo kabllot elektrike të sigurta nga flakët.

Këto masa, të pranuara gjerësisht në BE, mbrojnë ndërtesat dhe ngadalësojnë përhapjen e flakëve, duke fituar kohë për evakuim.

Ligji aktual për “Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit” ngarkon projektuesit dhe zhvilluesit e ndërtesave me përgjegjësinë për sigurinë kundër zjarrit, por masat shpesh reduktohen në njoftime për radhën e evakuimit, të cilat shpesh mungojnë në pallatet pa administratorë.

Gjendja aktuale theksohet nga mungesa e fikëseve zjarrfikëse nëpër pallate, duke lënë banorët të varur vetëm nga ndërhyrja e forcave të emergjencës. Për më tepër, dëmet financiare nga zjarret mund të jenë të papërballueshme për shumë familje, veçanërisht duke marrë parasysh se shumica e pronave nuk janë të siguruara.