Ora 400 mijë euro dhe dosjet e SPAK/ Çollaku: Rama e di çfarë do të dalë

Gazetari Basir Çollaku ka ngritur akuza dhe pikëpyetje të forta lidhur me informacionet që, sipas tij, kryeministri Edi Rama disponon për dosjet që pritet të bëhen publike. I ftuar në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon në SYRI TV, Çollaku u ndal veçanërisht te ora me vlerë 400 mijë euro, dosjet e SPAK dhe komunikimet që ai pretendon se përfshijnë biznesmenë, politikanë dhe grupe kriminale.
Sipas Çollakut, mënyra se si Rama ka folur publikisht për disa prej çështjeve ngre pikëpyetje mbi burimin e informacionit të kryeministrit dhe mbi dijeninë që ai mund të ketë për materialet hetimore.
“Përmendi fiks orën 400 mijë euroshe. Si e di çmimin ai në kokë? Siç e ka dosja ia ka thënë”, deklaroi gazetari.
Çollaku pretendoi se deklarimet e Ramës përbëjnë një lloj parapërgatitjeje për zhvillimet që, sipas tij, pritet të pasojnë në ditët në vijim.
“Herës së parë ajo që tha Rama ishte dëshmia e një të pandehuri. Alibia, alibia e Ramës për ngjarjet që kanë ndodhur dhe të cilat do shfaqen duke filluar nga kjo javë dhe në ditët në vazhdim, Rama ka informacion se çfarë do të ndodhë. Dhe bëri përshtypje diçka shumë interesante kur ai filloi të rreshtojë disa nga përmendjet e deritanishme dhe hamendësoi të tjerat. Duke thënë diçka, përmendi fiks orën 400 mijë euroshe.
Si e di çmimin ai në kokë? Siç e ka dosja ia ka thënë. Dhe do t’i sugjeroj kryeministrit të mos jetë fort i shkujdesur, sepse partnerët janë shumë të kujdesshëm me detaje se kush e ka atë kokrrën e sahatit. Të shohë njëherë videot se mos e ka vënë ndonjëherë në dorë vetë.
Pa diskutim, e dinë atë, s’e ka… jo vetëm Rama, po edhe ne na e ka bërë të ditur. Por tani këtë orën ai e ka provuar dhe vetë ndonjëherë këtë orën 400 mijë euroshin? Nuk e ka te këndi i dhuratave që flet ai. Atë për të cilën flet dosja, nuk e ka fare.
Është në dosje, ai përgjigjet në këtë rast akuzës së drejtpërdrejtë sepse ai e di që është. Ai e di mirë se kush e ka dhuruar dhe kush e ka marrë. Tani po e pyesim, po e pyesim pak se larg e larg, a e ka provuar ndonjëherë ta vëjë në dorë si i rri, vetë kryeministri këtë?”
Gazetari vijoi me pretendime të tjera për materiale që, sipas tij, ndodhen në SPAK dhe për komunikime të biznesmenëve përmes telefonave të koduar.
“Tjetër, ka biznesmenë që telefonat e koduar të të cilëve janë me emrat e mëdhenj këta, janë në SPAK dhe kanë komunikime edhe me Ramën, kanë mbaruar punë dhe tregojnë nënkontraktorëve si kanë mbaruar punë. Janë historitë e drogës e këta. Tjetër, autoritetet amerikane, zvicerane, shumë nga evropianët kanë dy muaj që kanë kërkesë në SPAK për lidhjet e Artur Shehut me Edi Ramën.
SPAK-u nuk u përgjigjet ende atyre dhe nuk thotë: ka dërguar një shkresë në SHBA për të marrë dijeni cili është statusi i tij atje dhe çfarë raporti ka drejtësia jonë me të këtu. Dhe pyetja tjetër që prapë Rama nuk iu përgjigj, unë po them që për të cilat nuk përgjigjet ai se këta nuk janë dhurata, vetë e ka takuar ndonjëherë në Monako dhe në Florida Artur Shehun.
Po, i vëllai Olsi a e ka takuar në Monako dhe në Florida? Sepse këto që bëhen pyetje janë nëpër dosje, nuk janë thjesht hamendësime teorike. Dhe janë investitorë strategjikë. Strategjikë kanë emrin, se të tjerët janë më shumë se gjysma trafikantë droge.”
Çollaku deklaroi më tej se në dosje të ndryshme do të dalin komunikime që, sipas tij, lidhen me Monakon, grupet kriminale dhe inceneratorët. Ai ngriti pikëpyetje se si Rama mund të dijë paraprakisht se cilat elemente do të përmenden.
“Të cilët në komunikimet e tyre pastaj do vijë Monako, ku grupet kriminale flasin se si e kanë mbaruar punën me kryeministrin. Pastaj do dalë SPAK-u i inceneratorëve, ku kryeministri e lajmëroi pak çfarë do përmendin. Nga e di ai që do përmendet se afërti shkojnë pagesa? Nga e di këtë histori?
Po se nuk është, nuk është vetëm ai. Janë edhe ca politikanë këtej e andej siç kanë qenë në kronikat dikur. Pra, në këtë histori, kjo është një alibi që po ndërton… Këta që kanë dalë përputhen me deklarimin e Ramës, nuk kemi parë gjë akoma. Këta që kanë dalë deri tani. Ka të tjera që janë personalisht për Ramën.”
Në vijim, gazetari bëri akuza të tjera të rënda, duke pretenduar lidhje me organizata kriminale ndërkombëtare dhe duke ngritur pikëpyetje mbi koncesionet, trafikantët e drogës dhe dhuratat.
“Rama do kishte ikur ta linin ata, ka frikë të ikë. Keni bindje për këtë? Ka frikë të ikë prej tyre, se ka një gjë tani kur futesh tek mafiozët dhe sidomos ndërkombëtarë, kur je me Sinaloan, kur je me Ndranghetan, kur je me Cosa Nostrën, që janë këmbëkryq këtej rrotull në biznese, ti nuk ke këtë zgjedhje të ikësh se kodi i mafias ka një makinë llogaritëse delikate në komunikim. Ata nuk të lënë të ikësh kur të duash ti nëse je futur aq thellë aty.
E vendosin ata orën, datën dhe mënyrën. Ndërsa ai ka aq para sa t’i lajë borxhet e t’u kthejë me interes, ajo është histori më vete. Po ne po flasim për një kryeministër këtu, nuk po flasim për një të kërkuar të zakonshëm. Se në një numër jo të vogël dosjesh, siç ka qenë përgjimi që ka dalë në sallën e gjyqit në Belgjikë ku thotë kryeministri Rama ka pjesën e tij.
Dhe pyetja thelbësore që bëjmë, duhet ta bëjmë të gjithë: Po te koncesionet, ku është pjesa e tij? Po te trafikantët e tjerë të drogës, ku është pjesa e tij? Po te këta dhuruesit e mëdhenj të pashënuar, ku është pjesa e tij?
Nëpër dosje është e qartësuar se ku është pjesa e tij. Këta nuk janë pyetje pa përgjigje. Nëpër dosje kanë përgjigjen dhe ajo që vjen, e di kush është asimetria këtu? Që dosjet që dalin në Itali, në Belgjikë, në Francë, në Spanjë, i kanë të sqaruara se kush janë përfituesit dhe vendimmarrësit në botën e trafikut dhe pastrimit të parave. Ajo që çalon dhe kërcet është fakti që në strukturën e posaçme…
Të posaçme, pra në Tiranë. Te godina e xhamtë që ai edhe alibinë edhe këtë monologun e kishin një lloj presioni edhe ndaj tyre. Se u arrestua ai në Vlorë, se akoma nuk janë bërë gati për t’i mbuluar ca gjëra.”
Në fund, Çollaku tha se disponon emra konkretë, por se pret që SPAK t’i bëjë publikë dhe t’i zyrtarizojë. Ai përmendi gjithashtu udhëtime dhe takime të pretenduara në disa vende jashtë Shqipërisë.
“Unë e di me emra. Do i lë nderin SPAK-ut ndonjëherë të na i lançojë dhe të na zyrtarizojë emrat. Pse i zgjasin ata dhe ne do bëjmë sikur harrojmë ndonjë për ta përmendur. Por ai e di atë, e thotë kam dërguar. Po kujt i dërgoi? Nuk e di ti ku shkon ministri? E di ku shkon në një fushatë elektorale nëpër rrethe i jep llogari. E jo më kur shkon në Aruba, në Monako, në Antverp, Majorka, se janë pesë takime atje”, tha gazetari Basir Çollaku në SYRI TV.