Skip to content
Kryesore

OCCRP: Koncerti i Kanye West u përdor si spektakël politik me para publike për të zbehur protestat

· 5 min lexim

Rrjeti ndërkombëtar investigativ Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCRP) i ka kushtuar vëmendje financimit nga qeveria shqiptare të koncertit të reperit Kanye West, i zhvilluar më 11 korrik në Tiranë. Në artikullin e publikuar, OCCRP thekson se vendimi për të akorduar rreth 4.9 milionë dollarë nga fondi rezervë i shtetit ka nxitur kritika të forta, ndërsa vendi vijon të përballet me protesta të përditshme kundër qeverisë.

Sipas OCCRP, kritikët e konsiderojnë këtë financim si një strategji të tipit “bukë dhe cirk”, që synon të largojë vëmendjen e opinionit publik nga protestat kundër korrupsionit dhe zhvillimeve të fundit politike.

“Kritikët thonë se qeveria e kryeministrit Edi Rama po e shndërron një koncert të Ye (ish-Kanye West) të financuar publikisht të shtunën në një spektakël politik që mund të ndihmojë në errësimin e javëve të protestave antiqeveritare në Tiranë”, shkruan OCCRP.

Në reagimin e plotë thuhet se kryeministri Edi Rama është kritikuar për ndarjen e 4.9 milionë dollarëve nga rezervat shtetërore për financimin e performancës së reperit kontrovers në Tiranë, një vendim që, sipas kritikëve, përbën një skemë të tipit “bukë dhe cirk” për të zbehur protestat kundër korrupsionit të lidhura me projektin turistik të Jared Kushner.

Qeveria shqiptare miratoi 400 milionë lekë për të mbështetur koncertin e Ye-së më 11 korrik. Fondet u transferuan nga fondi rezervë i shtetit në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, me argumentin se bëhej fjalë për një aktivitet kulturor dhe turistik që do të promovonte imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Shkrimtari dhe komentatori publik Fatos Lubonja deklaroi për partnerin e OCCRP, Shteg.org, se ky vendim pasqyron modelin e qeverisjes “bukë dhe cirk”, ku paratë publike përdoren për argëtim ndërsa vendi përballet me probleme më të thella.

“Ndoshta ai po e bën këtë edhe për t’iu kundërvënë kësaj proteste, për të organizuar një shfaqje të madhe në mënyrë që njerëzit të thonë: ‘Shikoni sa njerëz u mblodhën atje’”, tha Lubonja për Shteg.org.

Ai vuri në pikëpyetje arsyen pse shteti duhet t’i japë miliona dollarë një kompanie private për një artist komercial, i cili sipas tij nuk kontribuon në zhvillimin kulturor të vendit. Lubonja e cilësoi financimin një skandal dhe e krahasoi atë me vendime të tjera të qeverisë Rama që kritikët i kanë konsideruar të errëta ose të motivuara politikisht.

Nga ana tjetër, qeveria e mbrojti ndërhyrjen si një investim në turizëm. Në memorandumin shpjegues të shqyrtuar nga Shteg.org dhe OCCRP, argumentohet se koncerti nuk duhet të konsiderohet vetëm një aktivitet privat, pasi pritej të tërhiqte vizitorë të huaj dhe të sillte përfitime për hotelet, transportin, restorantet dhe sektorë të tjerë të shërbimeve.

Memorandumi identifikon kompaninë Redcloud si subjektin që më 3 korrik kërkoi mbështetje urgjente financiare nga ministria, duke paralajmëruar se eventi ishte në rrezik për shkak të kostove shtesë dhe se procedurat e zakonshme ligjore nuk mund të përfundonin përpara datës së koncertit. Në dokument thuhet gjithashtu se rreth 70 për qind e biletave të shitura ishin blerë nga shtetas të huaj.

Edhe kryeministri Rama e ka mbrojtur publikisht financimin, duke deklaruar se pagesa ishte e nevojshme për të shmangur dëmtimin e imazhit të Shqipërisë përballë rreth 25 mijë vizitorëve të huaj që kishin blerë tashmë bileta. Ai pretendoi se eventi mund të gjeneronte të paktën 100 milionë euro të ardhura nga turizmi dhe akomodimi.

Gazetarja Elsa Demo e cilësoi financimin e koncertit si pjesë të një modeli politik afatgjatë që e trajton kulturën si spektakël. Ajo deklaroi për Shteg.org se aktivitete të tilla mund të shërbejnë si instrumente politike, duke nxitur admirimin ndaj pushtetit dhe duke larguar qytetarët nga angazhimi publik.

Ekonomisti Zef Preçi vuri në dyshim bazën ligjore dhe urgjencën e vendimit, duke theksuar se koncerti ishte bërë publik më shumë se dy muaj më parë. Sipas tij, edhe nëse shteti do të mbështeste një aktivitet privat, fondet duhej të shpërndaheshin përmes një procedure konkurruese dhe transparente, jo përmes një instrumenti ligjor emergjent.

OCCRP thekson se polemika zhvillohet në një kohë kur Tirana ka përjetuar protesta të përditshme për më shumë se një muaj. Fillimisht demonstratat nisën kundër projektit luksoz turistik të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa më pas u zgjeruan në protesta më të gjera për zonat e mbrojtura, zhvillimin bregdetar dhe korrupsionin e dyshuar qeveritar.

Në artikull rikujtohet gjithashtu se OCCRP ka raportuar më herët për ngrirjen e aseteve të lidhura me projektin turistik nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit në Shqipëri, si edhe për dokumente gjyqësore nga një hetim për trafik droge që, sipas saj, përputheshin me hetimin mbi tokën e projektit turistik. Rama i ka mohuar akuzat për korrupsion.

Sipas OCCRP, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, si edhe kompania Redcloud, nuk iu përgjigjën pyetjeve të Shteg.org lidhur me arsyet e financimit dhe mënyrën se si do të shpenzoheshin fondet publike.

Artikulli përfundon duke theksuar se Kanye West mbetet një figurë kontroverse në arenën ndërkombëtare. Atij i është ndaluar të performojë në disa vende evropiane gjatë kësaj vere pas komenteve që vlerësonin Adolf Hitlerin dhe publikimit të përmbajtjeve me imazhe naziste.