Skip to content
Kryesore

Nuk del nga qelia/ Apeli lë në burg Ergys Agasin dhe ish-efektivin Uljan Shpataraku

· 4 min lexim

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për biznesmenin Ergys Agasi dhe Uljan Shpatarakun, ish-efektivin e Policisë që e shoqëronte në momentin e arrestimit. Vendimi vjen në një ditë me zhvillime të forta në hetimet e lidhura me Agasin, të cilat kanë prekur edhe nivelet e larta të institucioneve të sigurisë.

Apeli vendosi këtë të martë, 22 shtator, të miratojë vendimin nr. 62, datë 28 gusht 2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, duke lënë kështu Agasin dhe Shpatarakun pas hekurave.

Vendimi u mor nga gjyqtari Florjan Kalaja, ndërsa kundër tij mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Gjykata njoftoi:

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Florjan Kalaja, sot më datë 22.09.2026, disponoi për çështjen penale nr. 43 akti, datë 17.09.2026 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim/ankues E.A, në lëndë të masave të sigurimit, si vijon:

– Miratimin e vendimit nr. 62, datë 28.08.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Në bazë dhe për zbatimin të nenit 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i vendimit deri në mbylljen e hetimeve paraprake.

– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.”

Vendimi i Apelit vjen pikërisht në ditën kur hetimet kanë sjellë zhvillime të tjera të rëndësishme. Me kërkesë të SPAK-ut, GJKKO ka caktuar masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni.

Hyseni akuzohet për “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete”, ndërsa sipas të dhënave të deritanishme, ajo dyshohet se i jepte informacione shtetërore Ergys Agasit.

Në kuadër të hetimeve janë kryer kontrolle edhe në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ku janë sekuestruar telefoni, disa CD, një laptop dhe disa USB.

Operacioni ka çuar gjithashtu në arrestimin e Fatjon Kallucit, shefit të Laboratorit Shkencor të Policisë, si dhe biznesmenit Embro Sulejmani.

Agasi u kap në zonën e Plepave në Durrës, pas më shumë se tetë muajsh në arrati. Ai ishte lokalizuar fillimisht në Elbasan, ndërsa bashkë me të u arrestua edhe ish-efektivi i Policisë Uljan Shpataraku.

Agasi kërkohej nga SPAK në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Ai akuzohet se, në bashkëpunim me Ermal Beqirajn, i arrestuar më herët në Francë, krijoi një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve publikë përmes korrupsionit, dhunës dhe pengmarrjes.

Në qendër të së njëjtës dosje është edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. SPAK e ka marrë atë të pandehur në hetimin për tenderët e institucionit që drejtonte, nën dyshimet se procedurat e prokurimit publik manipuloheshin për të favorizuar kompani të paracaktuara. Hetimi i SPAK-ut e lidh skemën e dyshuar të tenderëve me grupin ku përfshihen Agasi dhe Beqiraj.

Kontrollet nuk u ndalën pas arrestimit të Agasit dhe Shpatarakut. Policia ushtroi kontroll edhe në banesën e Shpatarakut në zonën e Liqenit të Thatë, me qëllim sekuestrimin e provave elektronike dhe dokumenteve që mund të lidhen me dosjen e AKSHI-t.

Kontrolle janë zhvilluar gjithashtu në sektorin e paraburgimit në Bradashesh, ku janë gjetur pajisje wireless dhe pije alkoolike. Verifikimet pritet të përcaktojnë se si kanë përfunduar këto sende brenda ambienteve të paraburgimit dhe kujt i përkisnin.

Ndërsa hetimet vijojnë të zgjerohen, Ergys Agasi dhe Uljan Shpataraku do të vijojnë të qëndrojnë në burg pas vendimit të sotëm të Apelit të Posaçëm.