Ky është ndoshta ndryshimi më konkret që ka prodhuar protesta deri tani.
Fitorja e parë nuk është vetëm institucionale. Është psikologjike: njerëzit që deri dje heshtnin, sot po flasin.
Sepse për vite me radhë, pushteti nuk ka sunduar vetëm me vota, tendera, media apo polici. Ka sunduar edhe me frikë.
Me frikën e administratës, frikën e biznesit, frikën e studentit, frikën e familjes që thotë “mos u përziej”, frikën e qytetarit që mendon “jam vetëm”.
Protesta ka goditur pikërisht këtë mekanizëm.
Kur një i ri merr mikrofonin para Kryeministrisë, kur një qytetar del vetëm në shesh, kur dikush nga administrata guxon të jetë aty, kur diaspora e ndjek dhe e shtyn përpara, kur njerëzit fillojnë të flasin hapur për oligarkë, leje, prona publike dhe përgjegjësi, frika fillon të zbehet.
Kjo është arsyeja pse pushteti është nervoz.
Jo sepse të gjithë ranë dakord për çdo hap të protestës. Jo sepse çdo gjë ka qenë perfekte. Por sepse çdo ditë po shtohen njerëzit që nuk pranojnë më të heshtin!








