“Një hap gjigant për Shqipërinë”/ Vendi ynë i bashkohet NASA-s në Marrëveshjet Artemis për eksplorimin e Hënës dhe Marsit

Shqipëria do të bëhet vendi i 73-të që i bashkohet Marrëveshjeve Artemis, nismës ndërkombëtare të udhëhequr nga NASA dhe Departamenti Amerikan i Shtetit për bashkëpunimin në eksplorimin civil dhe paqësor të hapësirës.
Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet të hënën, më 21 shtator, në orën 12:00 sipas kohës lokale të Uashingtonit, në selinë e NASA-s.
Shqipëria do të përfaqësohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe ambasadori shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati. Ceremonia do të drejtohet nga zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, ndërsa të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë e ka cilësuar këtë zhvillim si një “hap gjigant” për vendin.
“Një hap gjigant për Shqipërinë! Shqipëria do të nënshkruajë Marrëveshjet Artemis më 21 shtator në selinë e NASA-s në Washington, duke u bërë vendi i 73-të që i bashkohet kësaj nisme, e cila përfshin një sërë parimesh praktike që synojnë të rrisin sigurinë, transparencën dhe koordinimin e eksplorimit civil të hapësirës në Hënë, Mars dhe më gjerë”, thekson Ambasada e SHBA në Tiranë.
Marrëveshjet Artemis u krijuan në vitin 2020 nga Shtetet e Bashkuara, përmes NASA-s dhe Departamentit të Shtetit, së bashku me shtatë vende të tjera themeluese, në një periudhë kur interesi i shteteve dhe kompanive private për eksplorimin e Hënës po rritej.
Ato përcaktojnë parime të përbashkëta për eksplorimin civil të hapësirës, mes të cilave përdorimin paqësor, transparencën, shkëmbimin e të dhënave shkencore, ndihmën në raste emergjencash dhe koordinimin për shmangien e ndërhyrjeve të dëmshme mes misioneve.
Me firmën e 21 shtatorit, Shqipëria bëhet pjesë e këtij kuadri ndërkombëtar bashkëpunimi për eksplorimin e Hënës, Marsit dhe hapësirës përtej tyre.