Skip to content
Kryesore

Nis viti i ri shkollor, 25 mijë fëmijë ulen për herë të parë në banka/ Deri 37 mijë lekë fatura për një nxënës, Profesori: Mësojuni reagimin dhe dashurinë, jo gojëkyçjen

· 4 min lexim

Viti i ri shkollor 2026–2027 nis në të gjithë vendin, me mijëra nxënës që rikthehen në bankat e shkollës dhe rreth 25 mijë fëmijë që ulen për herë të parë në klasën e parë. Por pas fotografive me çanta të reja, lule dhe buzëqeshje, për shumë familje shqiptare shtatori vjen me një faturë të rëndë.

Arsimi publik është falas, por përgatitja e një fëmije për të hyrë në shkollë nuk është aspak e tillë.

Një vrojtim i çmimeve në Tiranë tregon se, nëse një familjeje i duhet të blejë nga e para çantën, kancelaritë, atletet dhe një garderobë bazë, shporta e fillimit të shkollës mund të arrijë rreth 37,200 lekë për vetëm një fëmijë, sipas Monitor.

Dhe problemi qëndron pikërisht te lista. Një fletore kushton pak. Një laps apo stilolaps gjithashtu. Edhe një bluzë, e marrë veçmas, mund të mos duket si një goditje e madhe për buxhetin. Por shkolla nuk nis me një fletore, një laps apo një bluzë.

Ajo nis me të gjitha bashkë.

Në shportën e shtatorit përfundojnë fletoret, stilolapsat, lapsat me ngjyra, vizoret, kutia e lapsave, materialet e vizatimit, mbështjellëset e librave dhe një sërë artikujsh të tjerë. Më pas vjen çanta, një nga blerjet më të kushtueshme të fillimvitit, atletet, pantallonat, bluzat, veshjet sportive dhe, në varësi të shkollës, edhe uniforma.

Për një familje me dy fëmijë, barra bëhet edhe më e madhe. Për një familje me tre, shtatori mund të kthehet në një nga muajt më të vështirë të vitit për buxhetin familjar.

Sigurisht, jo çdo prind paguan 37 mijë lekë. Çanta e vitit të kaluar mund të përdoret përsëri, disa rroba mund të mos kenë nevojë të zëvendësohen dhe një pjesë e materialeve mund të ruhen apo të kalojnë nga një fëmijë te tjetri. Por kur fëmija ka ndryshuar masën e këmbës, çanta është konsumuar dhe garderoba duhet rifreskuar, familja detyrohet praktikisht ta nisë shtatorin nga zero.

Dhe fatura nuk mbyllet me zilen e parë.

Gjatë javëve që pasojnë shfaqen materiale të tjera të kërkuara nga mësuesit, fletore shtesë, fotokopje, mjete për projekte, pajisje për aktivitete apo një palë atlete të veçanta për fizkulturë. Kështu, “dita e parë e shkollës” është në të vërtetë vetëm fillimi i një zinxhiri shpenzimesh.

Pikërisht situatën ekonomike të familjeve e ka vendosur në qendër të mesazhit të tij edhe profesori Lush Susaj, i cili, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, u është drejtuar si prindërve, ashtu edhe mësuesve.

Susaj e ka lidhur gjendjen ekonomike të familjeve me zgjedhjet politike të bëra ndër vite, duke u kërkuar prindërve të reflektojnë.

“Thirrje prindërve, shihni sepse nga vota juaj 36 vite, çdo 4 vite për hasmin e fëmijëve dhe kombin tuaj është krijuar kjo situatë për fëmijët tuaj dhe situata juaj ekonomike, vetëm për gafën që keni bërë çdo 4 vite”, është shprehur Susaj.

Por mesazhi i tij shkon edhe drejtpërdrejt për mësuesit. Ai kërkon që realiteti ekonomik i fëmijëve të mos lihet jashtë dyerve të klasës dhe që shkolla të mos edukojë heshtjen.

“Thirrje mësuesve të përpiqen të vlerësojnë situatën ekonomike të fëmijëve. T’u mësojnë reagimin, patriotizmin, atdhetarinë dhe kurrë heshtjen e gojëkyçjen”, tha ai.

Susaj u ka bërë gjithashtu thirrje prindërve që të bojkotojnë atë që ai e cilëson si “orën e propagandës” në ditën e parë të shkollës.

Kështu nis viti shkollor 2026–2027: me rreth 25 mijë fëmijë që përjetojnë emocionin e klasës së parë, por edhe me mijëra prindër që përballen me anën shumë më pak festive të shtatorit. Sepse pas çantës së re dhe fotografisë së ditës së parë qëndron një faturë që, për një familje me të ardhura modeste dhe më shumë se një fëmijë, mund të rëndojë seriozisht buxhetin.