Ngjela paralajmëron Ramën: Nëse do ta dominojë sëmundja e pushtetit absolut, mund të shkojë drejt një fundi fatal

Avokati Spartak Ngjela ka reaguar lidhur me protestat studentore që po zhvillohen në Tiranë, duke argumentuar se ato po marrin një dimension politik që nuk kontrollohet nga asnjë forcë politike dhe se, nëse zgjerohen në të gjithë vendin, mund të prodhojnë zhvillime të rëndësishme në jetën politike.
Sipas Ngjelës, protestat nuk duhen parë përmes teorive mbi financimet, por përmes shkakut që i ka nxitur, që sipas tij është refuzimi masiv ndaj qeverisë aktuale. Ai thekson se protestat paqësore nuk mund të rrëzojnë një qeveri, por mund ta dobësojnë atë dhe të çojnë drejt ndryshimit të kryeministrit ose krijimit të një qeverie të re brenda shumicës.
Në reagimin e tij, Ngjela shprehet:
“Në Tiranë po ziejnë protestat e rinisë studentore. As PD dhe as PS nuk po i sundojnë dot ato.
Rinia studentore në historinë e Evropës ka sjellë gjithmonë zhvillim shoqëror. Kjo po ndodh edhe sot në Tiranë. Dhe pritet që niveli i protestës studentore të vijojë të zhvillohet, duke i prekur të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë.
Na duhet të theksojmë se, sipas konceptit demokratik të një vendi si Shqipëria, kur ngrihet në protestë rinia studentore masivisht, qeveria nuk reziston dot më dhe vendi shkon në një qeveri teknike.
Por ndërkohë ka nisur fantazia me pyetjen: ‘Kush po i financon studentët?’
Por ky është një mendim i prapambetur, sepse për të shpjeguar një fenomen shoqëror si protesta politike, duhet të analizosh shkakun dhe jo paranë.
Shkaku i një proteste me karakter politik është mospranimi masiv i qeverisë aktuale që është në pushtet.
Dhe kjo po ndodh tani edhe në Shqipëri. Kurse kjo mund ta dobësojë, por nuk mund ta rrëzojë një qeveri, sepse dihet që protesta paqësore nuk është revolucion.
Por sigurisht që, nëse protestat bëhen masive në katër ose pesë qytetet e mëdha të Shqipërisë, gjendja mund të shkojë në ndryshimin e kryeministrit me një person me vlerë në opinionin publik, ose në zgjedhje të reja, me anë të një qeverie të përbashkët. Por qeveria e përbashkët sot nuk i ka ende shenjat se mund të ndodhë në Shqipëri. Dhe nuk mund të ndodhë, sepse socialistët sot kanë në Parlamentin e Shqipërisë 83 deputetë, nga 140 deputetë që është numri i Kuvendit të Shqipërisë.
Na duhet të theksojmë se një protestë paqësore që vijon mund ta dobësojë një qeverisje, por nuk mund ta rrëzojë atë dhe të krijojë një tjetër, sepse ky quhet grusht shteti, i cili e kthen vendin në diktaturë.
Megjithatë, duhet të presim e të shohim se sa do të vijojë të jetë përkrahja e studentëve që janë hedhur aktualisht në protestë në Tiranë, sepse masiviteti i madh në numër, që vijon kundër një qeverie, ka sjellë në histori ose ndryshimin e kryeministrit me një qeveri të re, ose zgjedhje të reja.
Por në Shqipëri nuk ka mundësi për zgjedhje të reja. Prandaj, nëse revolta studentore kundër qeverisë Rama do të vijojë, me zmadhimin e saj në numër, gjendja do të vijë me krijimin e një qeverie të re të Partisë Socialiste. Sepse, nëse revoltat e studentëve, të zmadhuara, do të vijojnë në rritje numerike, kryeministri Rama është i detyruar të largohet me dorëheqje. Dhe ky është një fenomen i njohur i demokracisë, që nga lindja e saj si sistem politik.
Por, a është kaq i aftë në logjikën e pushtetit politik Edi Rama?
Deri tani Rama nuk e ka pasur këtë aftësi, sepse kuptohet qartë që ai drejtohet dhe është drejtuar nga instinkti i pushtetit të tij absolut.
Atëherë asgjë.
Po!
Sepse, derisa atë do të vijojë ta dominojë instinkti i verbër i pushtetit absolut, instinkt ky që në fakt është a clear pathology (një sëmundje e pastër), Rama ka mundësi të shkojë drejt një fundi fatal.”