Nga ferri i kampit Al Hol në një jetë të re në Rrogozhinë/ Abdullahu nis shkollën, shpresë për rikthimin e motrës së tij

Prej një jave, Abdullahu, fëmija shqiptar i riatdhesuar nga Siria, po jeton pranë familjarëve të nënës së tij në Luz të Madh të Rrogozhinës. Pas viteve të kaluara mes luftës dhe kampeve siriane, i mituri po përpiqet të përshtatet me jetën e re, ndërsa në shtator pritet të nisë shkollën.
Abdullahu u kthye në Shqipëri më 26 gusht dhe tashmë ndodhet mes familjarëve që po i njeh nga dita në ditë. Ismet Leçini, xhaxhai i nënës së tij, tregon për Report Tv se fëmija nuk dëshiron të rikthehet te kujtimet e jetës së kaluar në Siri.
“Nuk ka qejf t’ia përmendësh kohën që ka qëndruar atje. S’ka dëshirë të flasë fare për jetën e kaluar në Siri dhe nuk do të flasë as gjuhën siriane”, tregon Ismet Leçini, xhaxhai i nënës së Abdullahut.
Ditët e para në familje kanë qenë emocionale. Pas një fëmijërie të kaluar mes luftës dhe kampeve, Abdullahu po njeh për herë të parë të afërmit e tij. Aktualisht ai jeton me gjyshen, ndërsa për të kujdeset edhe tezja.
“Djali kupton shumë mirë shqip, por për të folur disi me vështirësi. Ne luajmë çdo ditë me të. More po rri me djalin e tezes së vet, se janë moshatarë”, shprehet Leçini.
Një figurë e rëndësishme në jetën e Abdullahut mbetet edhe 79-vjeçarja Hajrije Taushani, të cilën ai e quan “gjyshja”. Ajo është kujdesur për jetimët në kampin Al Hol dhe mes tyre edhe për Abdullahun. Gjatë vizitës së Report Tv, i mituri nuk ndodhej në shtëpi, pasi kishte shkuar në Elbasan për të takuar Hajrije Taushanin.
“Gjyshja që e ka rritur ka vlera të mëdha. Ajo e ka mbajtur, e ka marrë që në moshën 2-vjeçare. Ajo ka rritur dy jetimë të vetët dhe këtë tonin.”
Historia e Abdullahut është një prej historive më të dhimbshme të fëmijëve shqiptarë të kthyer nga kampet në Siri. Babai i tij, Bledar Hamza, i njohur edhe si Ebu Samed, u vra në luftime krah ISIS-it.
Fati i nënës së Abdullahut, Resmijes, si dhe i të paktën njërës prej dy motrave të tij, mbetet i panjohur. Megjithatë, familjarët kanë marrë lajme që u japin shpresë për motrën tjetër. Sipas Ismet Leçinit, ajo është gjetur gjallë dhe po punohet për riatdhesimin e saj.
“Po, e sigurt është se motra e Abdullahut është gjallë. Shteti po interesohet shumë për ta kthyer”, thotë Ismet Leçini, xhaxhai i nënës së Abdullahut.
Ndërkohë, Abdullahu po përpiqet të lërë pas jetën në kamp dhe të përshtatet me realitetin e ri në Rrogozhinë. Në shtator, ai pritet të nisë për herë të parë shkollën në gjuhën amtare, duke hapur një kapitull të ri të fëmijërisë së tij në Shqipëri.