Skip to content
Të Gjitha

Negociatat e Shqipërisë me BE: Këshilli Europian merr vendimin për mbledhjen që do mbahej në fund të marsit

· 2 min lexim

Pas dështimit të negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Samitin e Brukselit, u vendos që Këshilli Europian do mblidhej në datat 26-27 mars, ku do diskutohej rreth anëtarësimit në BE të vendit tonë dhe Maqedonisë së Veriut.

Por, nisur nga situata e jashtëzakonshme që ka krijuar COVID-19 vendet anëtare kanë vendosur që mbledhja të shtyhet për një moment të dytë.

Vendimi është marrë gjatë një video-konference të mbajtur ditën e sotme, ku u diskutua edhe për masat për ndalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Kujtojmë se për 30 ditë BE ka mbyllur kufijtë e jashtëm për vendet joanëtare, ndërsa do të lejohen të kalojnë vetëm persona të autorizuar si mjekë dhe transportuesit e mallrave dhe medikamenteve.

Në tetor u zhvillua Samiti i Brukselit, por dështoi pasi Macron kërkoi që negociatat të mos hapen duke kërkuar reformim të BE.

Kujtojmë se Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, prezantoi metodologjinë e re të zgjerimit të Komisionit në shkurt, që u prit pozitivisht.

Megjithatë ka patur edhe zyrtarë europian që i kanë përshkruar ndryshimet si thjesht kozmetike, të dizajnuara kryesisht për të kënaqur presidentin francez Emmanuel Macron dhe për ta bindur atë të japë dritën jeshile për hapjen e bisedimeve të pranimit me dy vendet e Ballkanit në muajt e ardhshëm.