Skip to content
Kryesore

Nderimet për Papa Françeskun, mbahet sot Mesha e Dritës në Katedralen e Shën Palit

· 2 min lexim

Kisha Katolike në Shqipëri do të mbajë sot një meshë të veçantë në nder të Papa Françeskut, i cili është ndarë nga jeta.

Ceremonia do të zhvillohet në orën 18:00 në Katedralen e Shën Palit në Tiranë dhe do të jetë një akt lutjeje e mirënjohjeje për jetën, shërbesën dhe dëshminë e tij si udhëheqës shpirtëror i Kishës Katolike në mbarë botën.

Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj fton meshtarët, rregulltarët e të gjithë besimtarët, të përqendrojnë lutjet dhe kremtimet Eukaristike për shpirtin e Atit të Shenjtë duke falënderuar Zotin për zërin e tij kumbues në shpalljen e Ungjillit si dritë rrezatuese e Krishtit, Bariut të Mirë, nga Selia e Pjetrit, për mbarë botën.

Njoftimi i plotë:

Të dashur meshtarë, motra dhe gjithë ju besimtarë të Popullit të Zotit në Tiranë-Durrës dhe njerëz vullnetmirë,

Në këtë ditë në të cilën Kisha kremton të Hënën e Pashkës së Ringjalljes së Zotit tonë Jezu Krishti, Hyji i çdo mirësie ka dashur të thërrasë pranë Vetës Bariun e Kishës Universale, të Emblin Krisht mbi Tokë (cit. Shenjta Katerina nga Siena), Papa Françeskun.

Me këtë rast, ju ftoj juve, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e të gjithë ju besimtarë, të përqendrojmë lutjet dhe kremtimet Eukaristike për shpirtin e tij, duke falënderuar Zotin për zërin e tij kumbues në shpalljen e Ungjillit si dritë rrezatuese e Krishtit, Bariut të Mirë, nga Selia e Pjetrit, për mbarë botën!

Veçanërisht ju ftoj të gjithëve, që të kremtojmë së bashku sot në mbrëmje në orën 18:00, Meshën e Dritës, për Papa Françeskun, në Katedralen e Shën Palit.

Ati, Hyji i Mëshirshëm që në provaninë e Tij, na dhuroi Papa Françeskun dhe sot e thirri pranë Vetës, i dhëntë atij shpërblimin e të drejtëve dhe neve ngushëllimin dhe Hirin e Shpirtit të Shenjtë.

Virgjëra Mari, Nëna e Këshillit të Mirë, Pajtoreja e popullit tonë dhe ndërmjetësimi i së Shenjtës Nënë Tereza dhe i të Lumit Vinçens Prenushi dhe Martirëve Shqiptarë, qofshin ngushëllimi i tij.

Imzot Arjan Dodaj
Arqipeshkëv Metropolit Tiranë – Durrës