Skip to content
Të Gjitha

Miratohen ndryshimet në Kodin Penal për COVID-19, Kuvendi pranon propozimet e Metës

· 2 min lexim

Seanca parlamentare e jashtëzakonshme ka përfunduar.

Pasi votuan nismat ligjore, deputetët u larguan nga salla.

Kuvendi ndërkohë ka pranuar propozimet e presidentit Ilir Meta për ndryshimet në kodin penal.

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, bëri publike ndryshimet, që gjetën dakordësinë e të gjitha palëve.

“Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore, në funksion të gjendjes së epidemisë, ndaj personit që është dhënë me parë masë administrative, dënohet me gjobë ose burg deri në 6 muaj Nëse është një aktivitet tregtar, ndëshkohet me gjobë ose burg deri në 2 vite. Mos zbatimi për karantimin ose izolimin, apo shkelje nga personi bartës ose jo i sëmundjes, dënohet me burg nga 2-3 vite. Kur përhapja e sëmundjes nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi, burg nga 2-5 vjet. Kur është kryer nga pakujdesia gjobë ose burg 2 vite. Kur ka shkaktuar pasoja të rënda ose e rrezikshme për jetën, burg nga 3-8 vite. Ky material ka gjetur dakordësinë e të gjitha grupeve parlamentare”, tha Balla.

Më pas kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi numëroi votat dhe me vetëm 1 kundër, ndryshimet e reja në Kodin Penal u miratuan.

Ndërsa dy dekretet e Metës për ligjin “Anti KÇK” dhe ligjin e pronave u rrëzuan.

Gjithashtu u miratuan me 100 vota pro edhe ndryshimet në buxhetin e vitit 2020.

Për rreth 3 orë deputetën diskutuan në lidhje me aktet normative dhe ndryshimet në Kodin Penal, në lidhje me COVID-19.

Deputetët ishin të pajisur me maska dhe doreza, ndërsa të gjithëve iu mat temperatura përpara se të futeshin në sallë.

Në vijim të masave të marra ndaj COVID-19, 10 ministra u ulën në llozhat lart, 6 poshtë, ndërsa 30 deputetë u pozicionuan në llozhat lartë dhe 34 poshtë.