Skip to content
Të Gjitha

“Mini-Shengen gjysmak”/Grida Duma: “Askush nuk mund të marrë peng Shqipërinë duke shitur Kosovën ”

· 3 min lexim

Grida Duma ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vendin tonë.

Samiti i tretë i Mini-Shengenit, që solli në Shqipëri Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shkaktuar reagime të shumta.

Shkak u bë edhe mosprezenca e Kosovës në këtë takim.

Lidhur me këtë fakt, Duma shprehet se Kosova nuk është e Edi Ramës dhe se përgjegjshmëria ndaj Kosovës nuk i njihet apriori vetëm se është kryeministër në Shqipëri.

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, kujton kontributin e madh të shqiptarëve të Kosovës gjatë ditëve të tërmetit, që sipas saj nuk po vlerësohet aspak nga institucionet shqiptare.

Por asgjëja e institucioneve nuk është asgjë para dëmit që i bën Kosovës qeveria e Shqipërisë. Marrëveshja per Mini-Shengenin është e nxituar dhe e gabuar. Ajo po krijon polarizim dhe ndarje me të mëdha mes Shqipërisë dhe Kosovës, një përçarje mes shqiptarësh e cila asnjëherë nuk ka qenë në këto përmasa që nga rënia e komunizmit në 1991.

Asnjëherë nuk do të duhej që në Tiranë të parakalonin politikanët e Beogradit, kur një gjë e tillë kryhet në kurriz të Kosovës. Aq më tepër kur Vuçiç ishte pjesë e qeverisë së Millosheviçit që dëboi një milionë shqiptarë vetëm sepse quheshin shqiptarë, që shfarosi, përdhunoi dhe masakroi me forcën e armëve. Të gjitha këto krime sot Vuçiç i mohon, dhe Tirana bën sikur i harron.

Më tej, Duma ngre dyshime se pas ngutisë së treshes Vuçiq-Rama-Zaev fshihet një rrezik.

Samite të tilla,-shton Duma, – i shërbejnë Beogradit per rehabilitimin e politikës së vjetër, si dhe për ta fshehur pas sherreve ndërshqiptare politiken agresive ndaj Kosovës dhe Luginës së Preshevës.”

Më pas, ish-deputetja e PD-së rreshton tre pika, që duhen ndërmarrë në këtë situatë:

E para: Shqipëria nuk duhet të bëjë hedhë asnjë hap që lidhet me integrimin rajonal pa dakordimin e Kosovës;

E dyta: Shqipëria nuk do të shkojë në asnjë mbledhje me Serbinë – e jo më të organizojë spektaklin e turpshëm të sorollatjes së Vuçiçit në qendrat ku strehohen të pastrehët “nëpër hotelet me 5 yje”, në mungesë të plotësimit nga kjo e fundit të kërkesave të Kosovës;

E treta: Çdo politikë madhore që prek interesin kombëtar, Shqipëria dhe Kosova duhet ta rakordojnë bashkë. Përgjegjësia mbetet me ata që nuk janë të aftë ta realizojnë këtë.”

Në fund, Duma e mbyll shkrimin e saj duke thënë :

Askush nuk mund të marrë peng Shqipërinë duke shitur Kosovën. Askush nuk do të na tërheqë të gjithëve në gropën që po i hap vetes.

 

Ata që do të bien, do të jenë të vetëm.

Do të bien në greminën e mosmirënjohjes dhe pabesisë së tyre.”

Duket se mosprania e Kosovës në këtë takim e ka shqetësuar Grida Dumën.

Ajo e ka shfaqur edhe më parë ndjeshmërinë e saj ndaj kësaj çështjeje.

Kujtojmë se Duma u përlot pak ditë më parë tek fliste për marrëdhënien që duhet të ekzistojë mes dy shteteve shqiptare.