Mikesha e Ramës del pro Hagës/ Marta Kos kërkon respektimin e dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Marta Kos, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin dhe një prej figurave europiane me raportin publik më miqësor me Edi Ramën, ka dalë në mbështetje të respektimit të vendimit të Gjykatës Speciale që dënoi Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin me 81 vite burg në total.
Kos, të cilën Rama e ka pritur publikisht me “e dashur Marta” dhe që ka shfaqur vazhdimisht mbështetje të fortë për qeverinë shqiptare në procesin e integrimit europian, nuk iu bashkua kundërshtimeve që shpërthyen në Kosovë pas aktgjykimit. Përkundrazi, ajo kërkoi respektimin e vendimeve të Hagës.
“Vendimet e saj duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë apelimi”, shkroi Kos në reagimin e saj në X.
Komisionerja e cilësoi Dhomat e Specializuara të Kosovës një institucion të pavarur të drejtësisë dhe bëri thirrje që aktorët e rajonit të kontribuojnë në “shërimin e plagëve të së kaluarës”.
“U bëj thirrje të gjithë aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, shtetet e rajonit nuk mund të tejkalojnë ndasitë dhe të bëjnë hapa para drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE”, u shpreh Kos.
Qëndrimi i saj vjen në një ditë kur në Kosovë vendimi është përballur me kundërshtime të forta politike dhe qytetare. Kërkesa e Kos për respektimin e aktgjykimit e pozicionon Komisioneren në mbështetje të institucionit dhe vendimit të tij, pikërisht në momentin kur shumë shqiptarë po e kundërshtojnë atë. Madje, edhe vetë Rama për sy e faqe shkroi “Marre”.
Kos dhe Rama kanë shfaqur publikisht një raport veçanërisht të ngrohtë. Kryeministri shqiptar i është drejtuar asaj me “e dashur Marta”, e ka pritur në takime të shumta ndërsa marrëdhënia e tyre institucionale është shoqëruar nga vlerësime të përsëritura të Komisioneres për ecurinë e qeverisë shqiptare në procesin e integrimit europian.
Këtë herë, megjithatë, mikesha europiane e Ramës ka zgjedhur Hagën: ndërsa në Kosovë kundërshtohet ashpër aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Marta Kos kërkon që vendimet e Speciales të respektohen.