Skip to content
Kryesore

Mërtiri për rastin Vlora Hyseni: Rama mban përgjegjësi politike, e vendosi në krye të SHISH-it

· 3 min lexim

Sociologu dhe analisti Ergys Mërtiri thotë se kryeministri Edi Rama mban përgjegjësi politike për emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH-it dhe për mënyrën se si kanë funksionuar mekanizmat e kontrollit mbi institucionin më të rëndësishëm të inteligjencës në vend.

Reagimi i Mërtirit vjen pasi Hyseni u vendos në “arrest shtëpie” dhe u pezullua nga detyra, nën akuzat e SPAK për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror ose të shërbimit.

Sipas Mërtirit, nuk mjafton që kryeministri ta trajtojë çështjen vetëm si përgjegjësi individuale të Hysenit.

“Kreu i shërbimeve sekrete nuk është një pozicion çfarëdo, pasi lidhet me sigurinë kombëtare dhe këtu do të duhet të zgjidhen njerëz me nivel të lartë besueshmërie,” tha ai.

Mërtiri argumenton se rasti ngre pikëpyetje jo vetëm për përzgjedhjen e Hysenit, por edhe për funksionimin e institucioneve përgjegjëse për sigurinë.

“Rasti na flet gjithashtu edhe për gjendjen e institucioneve që garantojnë sigurinë në vend, për çfarë gjithashtu Kryeministri është patjetër përgjegjësi kryesor,” tha ai.

Sipas tij, nëse drejtuesi i SHISH-it rezulton se ka pasur lidhje të ngushta me persona të dyshuar për krim të organizuar, atëherë problemi shkon përtej përgjegjësisë së një individi.

“Nëse kreu i këtij institucioni rezulton në një lidhje kaq të ngushtë dhe kaq të dukshme me eksponentë të krimit të organizuar dhe askush në këtë shtet nuk di dhe nuk raporton gjë, kjo tregon se shteti në tërësi është në gjendje katastrofike,” deklaroi Mërtiri.

Ai kritikoi gjithashtu argumentin e përdorur nga Rama se secili zyrtar duhet të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet e tij.

Sipas Mërtirit, ky qëndrim është kthyer në një argument të përsëritur sa herë funksionarë të lartë të emëruar nga mazhoranca përfundojnë nën hetim.

“Ai është totalisht përgjegjës politikisht për faktin se zgjedh kaq shumë njerëz të korruptuar dhe se nuk ka parë asgjë nga zullumet e tyre, megjithëse kanë qenë kaq të dukshme dhe flagrante,” tha Mërtiri.

Në rastin e Hysenit, ai shkon edhe më tej, duke e lidhur çështjen drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.

“Në rastin konkret, Edi Rama është patjetër përgjegjës politikisht për faktin se ka kërcënuar sigurinë kombëtare të vendit duke vendosur në krye të shërbimit informativ një person kaq të papërgjegjshëm sa vendos SHISH-in në shërbim të kreut të një grupi kriminal,” deklaroi ai.

Vlora Hyseni ishte propozuar nga Rama për drejtimin e SHISH-it në vitin 2023, kur kryeministri e kishte cilësuar eksperiencën dhe reputacionin e saj si një “garanci të plotë”.