Më pak bashki, por dyfish punonjës: gati 40 mijë persona sot në administratën vendore

Shqipëria ka sot shumë më pak bashki dhe komuna se 12 vite më parë, ndërsa një pjesë e shërbimeve që dikur kërkonin sportele dhe punonjës kryhen tashmë online. Megjithatë, në vend që administrata të zvogëlohej, ka ndodhur e kundërta: numri i njerëzve të punësuar nga bashkitë është dyfishuar.
Në fund të vitit të kaluar, 61 bashkitë e Shqipërisë kishin gati 40 mijë të punësuar, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
Për ta kuptuar më thjesht, para reformës territoriale Shqipëria kishte 373 bashki dhe komuna. Qeveria vendosi t’i bashkonte dhe t’i reduktonte në vetëm 61 bashki. Ideja ishte që, duke pasur më pak institucione vendore, do të duheshin edhe më pak punonjës.
Kjo duhej të sillte më pak shpenzime për paga dhe më shumë para për rrugë, pastrim, ndriçim, kopshte, çerdhe dhe shërbime të tjera që marrin qytetarët nga bashkitë.
Por më shumë se një dekadë më vonë, rezultati për numrin e punonjësve është i kundërt. Nga 373 njësi vendore kemi kaluar në vetëm 61 bashki, ndërsa administrata është rritur në gati 40 mijë të punësuar, rreth dyfish më shumë se në vitin 2014.
Dhe çdo punonjës është një kosto për buxhetin e bashkisë. Sipas të dhënave të financave vendore, kostoja mesatare për një punonjës është aktualisht rreth 68 mijë lekë, ndërsa për disa poste të larta kalon 83 mijë lekë.
Pra, ndërsa qytetarëve u kërkohet gjithnjë e më shumë t’i marrin shërbimet online, numri i njerëzve që paguhen nga bashkitë nuk është zvogëluar. Përkundrazi, ka arritur nivelin më të lartë të regjistruar.
Reforma Administrative-Territoriale u miratua më 31 korrik 2014 me 88 vota pro, një kundër dhe një abstenim, pa praninë e Partisë Demokratike. Në atë kohë, përfaqësues të shumicës argumentonin se reforma do të ulte kostot dhe do të kursente qindra milionë euro.
Sot, të paktën për numrin e punonjësve, premtimi për një administratë më të vogël nuk është materializuar: njësitë vendore janë reduktuar nga 373 në 61, ndërsa të punësuarit në bashki janë dyfishuar.