Skip to content
Kryesore

“Më goditën me tavëll qelqi në kokë”/ Dëshmia e 18-vjeçarit: Më kërcënuan se do më vrisnin dhe zhduknin trupin

· 3 min lexim

Zbardhet dëshmia e 18-vjeçarit Genti Nela, i cili u dhunua në hotelin “FLAR”, në zonën e Malit të Robit, pas konfliktit që nisi kur kërkoi pagën dhe njoftoi se do të largohej nga puna.

Para autoriteteve, Nela ka deklaruar se kishte nisur punë si banakier më 10 korrik 2026, pasi kishte biseduar me Florian dhe Arbër Habilajn. Më 27 gusht, ai u kishte kërkuar pagën, pasi kishte vendosur të largohej dhe të fillonte punë diku tjetër.

Sipas dëshmisë së tij, vendimi për t’u larguar nuk është pritur mirë. Nela pretendon se fillimisht është sharë dhe më pas është sulmuar fizikisht nga personat e pranishëm. Ai thotë se është goditur me grushte dhe me një tavëll qelqi në kokë dhe fytyrë, ndërsa një prej personave e ka mbajtur për ta penguar të largohej.

18-vjeçari ka deklaruar gjithashtu se gjatë dhunës është kërcënuar vazhdimisht se do të vritej. Sipas tij, për t’u mbrojtur dhe për të mundur të largohej, ka goditur Florian Habilajn me një gotë qelqi në kokë dhe më pas ka arritur të largohet me vrap. Megjithatë, ai pretendon se është ndjekur nga katër personat, të cilët i kanë bllokuar sërish rrugën dhe e kanë goditur.

Dëshmia e plotë e 18-vjeçarit:

Më datë 10.07.2026 kam filluar punë si banakier në hotelin “FLAR”, në zonën e Malit të Robit. Për fillimin e punës kam biseduar me Florian dhe Arbër Habilaj. Më datë 27.08.2026 u kam kërkuar pagën, pasi kisha vendosur të largohesha nga puna dhe të punoja diku tjetër.

Në momentin që i kam thënë këtë, të pranishëm kanë qenë Florian dhe Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha. Ata nuk e kanë pranuar largimin tim nga puna dhe fillimisht më kanë sharë.

Floriani më ka goditur i pari me grusht, ndërsa Arbëri më ka goditur me një tavëll qelqi në kokë dhe në fytyrë. Jam goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Mariglen Mosha më ka mbajtur dhe më ka penguar të largohesha. Ata më kishin bllokuar rrugën dhe vazhdonin të më godisnin.

Gjatë kohës që më godisnin, më kanë kërcënuar vazhdimisht se do të më vrisnin. Duke u ndjerë në rrezik dhe për t’u mbrojtur, kam marrë një gotë qelqi dhe kam goditur Florianin në kokë. Kam goditur edhe me grushte, me qëllim që të largohesha prej tyre.

Pas kësaj kam arritur të largohem me vrap, por jam ndjekur nga të katër personat, të cilët më kanë bllokuar përsëri rrugën dhe më kanë goditur sërish.

Ngjarja ndodhi pas konfliktit për pagesën e punës së 18-vjeçarit. Për rastin janë arrestuar Florian Habilaj, 28 vjeç, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç, ndërsa Arbër Habilaj, 36 vjeç, është shpallur në kërkim.

Pas dhunimit, Genti Nela u dërgua në Spitalin e Kavajës për të marrë ndihmë mjekësore.

Ngjarja mori një tjetër kthesë kur xhaxhai i të riut, Melison Nela, u nis i armatosur drejt hotelit me qëllim hakmarrjen. Policia e ndaloi pranë hotelit dhe gjatë kontrollit të automjetit gjeti në një çantë një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.