Skip to content
Të Gjitha

Me dyer të mbyllura, Apeli cakton datën e seancës për Tahirin

· 2 min lexim

Seanca ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në Gjykatën e Apelit, do të zhvillohet më 9 prill në orën 10:30.

Njëkohësisht do të jepet vendimi edhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Për shkak të masave ndaj COVID-19, seanca do të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Më 19 shtator, Gjykata e Krimeve të rënda e dënoi Tahirin me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 3.4 vite, të cilat do të shlyheshin me 3 vite shërbim prove.

Gjyakata rrëzoi akuzat e Prokurorisë për bashkëpunim në trafik droge, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë.

Megjithatë trupi gjykues në argumentimin e vendimit, u shpreh se kishte prova të mjaftueshme për ta dënuar Tahirin për shpërdorim detyre.

Tahiri u shpreh pas seancës, se vendimi ishte as për qarë e as për qeshur.

“As qesh dot as qaj dot. Nesër po ju ftoj të ndajmë bashkë ca mendime. Mu duk një gjë tipit ‘je i pafajshëm po nuk kemi këllqe ta themi”, tha ish-ministri.

Vendimi nuk la të kënaqur, as Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe as ish-ministrin.

Për këtë arsye, të dyja palët vendosën që të ankimonin vendimin.